Muja zgjodhi Shqipërinë, trajneri i Kosovës: As nuk mund ta imagjinoj, diçka që s’duhet lejuar

schedule20:12 - 5 Shtator, 2023

schedule 20:12 - 5 Shtator, 2023

Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Primoz Gliha ka folur në prag të dy ndeshjeve që Dardanët luajnë kundër Zvicrës dhe Rumanisë, të vlefshme për kualifikueset e Euro 2024.

Përzgjedhësi i Kosovës ka cekur edhe rastin e Arbnor Mujës, sulmuesit të krahut që la Kosovën ku nuk kishte marrë minuta dhe vendosi të pranonte ftesën e Sylvinhos për të luajtur te Shqipëria.

Duke iu referuar rastit, Gliha tha se nuk e ka parë asnjëherë në jetë diçka të tillë, që një lojtar refuzon sepse kërkon minuta.

“Çfarë është më e rëndësishmja është dashuria për kombëtaren. Unë jam nga Sllovenia dhe nuk mund ta imagjinoj asnjëherë se dikush nuk vjen në kombëtare se nuk është futur një lojë dhe një gjë të tillë nuk do ta lejoj. Unë mund ta kuptoj nervozizmin gjatë ndeshjes, por jo të lënë kombëtaren.

Në kombëtare vihet për dashurinë ndaj vendit tënd, jo për para e për minutazh. Nuk kam dëgjuar asnjë rast në Slloveni që dikush ka lënë kombëtaren edhe pse atje jetojnë nacionalitete të ndryshme, të cilët po ashtu janë ftuar në kombëtare. Kurrë nuk mund të refuzosh kombëtaren”, ka thënë përzgjedhësi Gliha./ h.ll/abcnews.al