Ftesa e Gazment Bardhit bëri bashkë këtë të martë, për herë të parë pas 2 vitesh, 43 deputetë demokratë. Sigurisht që vendi këtë herë nuk mund të ishte selia e PD, ose ish-SHQUP, por një vend neutral që nuk kompleksonte askund, as Gazment Bardhin që ndodhej në atë seli, në mbrojtje të Lulzim Bashës, kur Berisha e sulmoi.
“E kam thirrur këtë takim me beismin e plotë që çështjet që na ndajnë janë shumë më pak sesa ato na bashkojnë”, tha Bardhi.
Ato pamje të 8 janarit janë harruar dhe ndasitë po ashtu, siç tha Gazment Badhi, që inicoi këtë takim të gjerë. Më entuziasti se të gjithë dukej Berisha, që prej kohësh nuk kishte këtë mbështetje në radhët e deputetëve demokratë.
“Janë 620 mijë opozitarë që sot marrin frymë lirisht dhe me optimizëm”, theksoi Berisha.
Takimin e çeli Bardhi, që është pranuar nga Berisha si kryetar i grupit parlamentar të PD-së, pavarsisht se këtë post do e mbaj Lulzim Basha. Morën pjesë dhe aleatët, Mediu, Shehi, Dule e Duka.
Por mungoi Jorida Tabaku. Ajo ishte e pranishme online, siç u tha, për shkak se ndodhej në Estoni, për një vizitë pune.
“Ky është një takim i 43 deputetëve të dalë nga një aleancë opozitare”, tha Berisha.
Vendimet Sali Berisha ia la Gazment Bardhit ti komunikoj. Ato lidheshin me aksionin e tyre në Parlament.
“Kemi caktuar një pjesë të axchendës parlamentare për sesionin e ardhshëm parlamentar. Së pari, prioritet i punës së deputetëve të opozitës në parlament në nisje do të jenë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, çuarja përpara e reformës zgjedhore e cila është bllokuar prej dy viteve”, tha Bardhi.
Gazment Bardhi me bashkimin me Sali Berishën fitoi bindshëm në sfidën e fundit që i ka hapur Lulzim Bashës. Edhe ky i fundit ndodhej në një takim të thirrur prej tij, në një tjetër hotel në Tiranë, me ata që i mban më afër, tashmë që nuk ka deputetët. Basha nga takimi me kryetarët e degëve, i përcolli një mesazh Bardhit në distancë.
“Udha e mbarë i qoftë në bunkerin anti-amerikan. PD nuk e dëmtojnë më”, tha Basha.
“Ftesa ime për zotin Basha dhe cilindo tjetër është që t’i rikthehehet misionit si opozitar.”, theksoi Bardhi.
Dy grupet e Berishës dhe Bardhit, së bashku me aleatët, vendosën të takohen çdo javë, për t’u kordinuar për aksionin në Parlament./abcnews.al