Ekzekutohet me kallashnikov duke pirë kafe daja i Zamir Latifit

schedule14:10 - 1 Tetor, 2019

schedule 14:10 - 1 Tetor, 2019

Daja i Zamir Latifit, i cili mbeti i vrarë dy vjet më parë në një masakër në Lushnje, është ekzekutuar mëngjesin e sotëm në një lokal ku po pinte kafe i vetëm. Sipas policisë, dy persona kanë qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të Besnik Hidës, i cili ndërroi jetë në vend.

Vrasësit u treguan të pamëshirshëm me Besnik Hidën, i cili u ekzekutua duke pirë kafe mëngjesin e kësaj të marte në qytetin e Lushnjes.

Me breshëri kallashnikovi dhjetëra plumba u derdhën në trupin e tij. Koka iu shpua tej përtej, saqë pjesë të saj u shpërndanë nëpër mure. Një vrasje e egër për motive akoma të paqarta.

Policia po kërkon dy vetë, të cilët ishin të maskuar. Pika të shumta kontrolli janë ngritur në hyrje-dalje të qytetit, në rrugët Lushnje-Tiranë, Lushnje-Fier dhe Lushnje-Berat.

Një dëshmitar u tha hetuesve se pa makinën e ekzekutorëve. Pasi u bindën që shënjestra e tyre vdiq, u larguan me mjetin tip “Fiat” ngjyrë gri. Një makine e ngjashme u gjet e djegur pranë varrezave të makinave në Lushnje. Brenda saj edhe tre armë.

Familjaret e Besnik Hidës debatuan me policinë në vendin e ngjarjes. Ata pretendonin se prej dy javësh kishin dyshime për atentatit dhe nuk u morën masa. Kohë më parë viktimës i është bërë një atentat me tritol, por që shpëtoi.

Ai është daja i Zamir Latifit, të riut që mbeti i vrarë në një atentat në mes të Lushnjes në Tetor të vitit 2017. Një masakër e realizuar po me aq egërsi sa ndaj Hidës. Veç Latifit u vra edhe shoku i tij Jurgen Hoxha.

Ngjarja ndodhi ne një ambient në lagjen “Loni Dhamo”, në vendin e quajtur Ura e Përroit. Latifi dhe Hoxha ishin ne kafe me shokët e tyre Marius Xhepexhiu, i cili u plagos dhe Saimir Xhelilin. Ata u qëlluan me breshëri nga dy persona që u identifikuan nga policia, por qe nuk janë kapur akoma. Në trupin e Latifit u gjetën 35 plumba, kurse në trupin e Hoxhës, 7 plumba.

Ekzekutimi i Besnik Hidës dyshohet se ka lidhje me zinxhirin e hakmarrjeve në Lushnje. Por askush nuk di të tregoje cili ishte roli i tij në këtë histori vrasjesh./ABC NEws Albania