Policia Rrugore në Vlorë po kryen kontrolle të shumta në të gjitha akset rrugore të qarkut për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Mësohet se gjatë fundjavës janë arrestuar 12 shoferë dhe janë pezulluar 8 leje drejtimi.
Ndërkohë, janë ndëshkuar me gjobë më shumë se 800 shoferë.
Njoftimi i Policisë:
Kontrollet e shtuara kanë për qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Gjatë fundjavës, si rezultat i kontrolleve të shtuara në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, duke përdorur pajisjet logjistike bashkëkohore, nisur dhe nga denoncimet e qytetarëve, për shkelje të ndryshme rrugore:
- janë arrestuar në flagrancë 12 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt;
- janë pezulluar 8 leje drejtimi, 4 për drejtim të mjetit, në ndikimin e alkoolit.
Si rezultat i monitorimit të të gjitha akseve rrugore të qarkut, me shërbime të shtuara dhe me pajisje të logjistikës bashkëkohore:
- Janë ndëshkuar 82 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara;
- Janë ndëshkuar 60 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
- Janë ndëshkuar 689 drejtues automjetesh, për ndalim ose pushim të automjetit, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore.
Policia Rrugore e Vlorë apelon për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe drejtimin e mjetit, nën efektin e alkoolit. Ftojmë të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, duke iu garantuar reagim të shpejtë./abcnews.al

