Vdekja e 17-vjeçarit në lokalin e natës në Sarandë/ ISHMT: Pajisja që pësoi defekt nuk ishte ashensor

schedule18:32 - 26 Gusht, 2023

schedule 18:32 - 26 Gusht, 2023

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në një lokal në Sarandë, kur për pasojë humbi jetën 17 vjeçari Antonio Delilaj. Sipas ISHMT-së, pajisja që përdorte lokali për transportimin e mallrave nuk ishte ashensor ndaj nuk kanë kryer inspektime.

Policia njoftoi se ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të së shtunës. Sipas policisë, kavoja e ashensorit që përdorej kryesisht për furnizimin e lokalit është shkëputur, duke zënë poshtë shtetasin 17 vjeçarin. Në pranga u vu Lulëzim Allkushi që kishte montuar ashensorin ndërsa u shpall në kërkim pronari Spiro Iljadhi.

Reagimi i ISHMT:

Në lidhje me aksidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme datë 26.08.2023 në subjektin “Orange”, Sarandë, ku një i ri 17-vjeçar humbi jetën, Inspektorati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut pasi ka kryer verifikimet në terren, informon se:

Pajisja e përshtatur për transport mallrash nga subjekti, e cila ka pësuar defekt nuk është ashensor.

Si rrjedhojë, ISHMT nuk ka kryer inspektime apo kontrolle pranë këtij subjekti, bazuar kjo në detyrimin e përputhshmërisë së instalimit të vendosur në shërbim nga personi përgjegjës, pasi nuk është brenda kompetencës ligjore të tij.

ISHMT shpreh keqardhje për aksidentin tragjik dhe i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së të riut.