Sulmet e Kurtit ndaj prokurorisë/ Shala: E paimagjinueshme, deklarata të tilla përbëjnë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë

schedule16:26 - 21 Gusht, 2023

schedule 16:26 - 21 Gusht, 2023

Gzim Shala nga Instituti Demokratik i Kosovës, në një intervistë për “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku komentoi ‘fushatën’ e qeverisë Kurti kundër sistemit të drejtësisë pas skandalit të grurit. Sipas tij, deklarata të tilla janë të paimagjinueshme në një vend ku sundon ligji dhe përbën ndërhyrje në drejtësi.

“Që nga ardhja e qeverisë kemi parë reagime të kësaj natyre dhe që më vonë nuk janë ndalur vetëm tek sistemi i drejtësisë, tek gjyqësori por janë shtrirë edhe tek Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Deklarata të kësaj natyre nuk janë të imagjinueshme në një vend ku sundon ligji. Deklaratat e tilla përbëjnë edhe ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Fatkeqësisht ky nuk është rasti i parë. Kemi pasur rastin e zotit Krasniqi që ishte mbrojtur nga qeveria dhe kryeministri edhe gjatë një seance plenare në Kuvend dhe një qasje e tillë është tendencë për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe që nuk duhet të ndodhë.

Palët kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet e tyre në gjykatë. Këto argumente duhet të parashtrohen në gjykatë por në asnjë rrethanë nuk është e rrugës që të kritikohet sistemi i drejtësisë dhe paradoksalisht në disa raste që i shkon për shtat qeverisë, të dalë edhe të lavdërojë sistemin.

I takon qeverisë që të ndërmarrë reforma në sistemin e drejtësisë, të vettingut dhe të suportojë sistemin në punën e saj dhe në asnjë të dalë me deklarata sporadike dhe kritikuese në sistemin e drejtësisë.”, theksoi Shala./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!