Afera me rezervat shtetërore, ministrja Hajdari: Nuk shoh arsye për dorëheqje

schedule18:43 - 18 Gusht, 2023

schedule 18:43 - 18 Gusht, 2023

Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se nuk sheh asnjë arsye për të dhenë dorëheqje, pas arrestimit të dy zyrtarëve të MINT-it dhe një biznesmeni nën dyshimin për dallavere me furnizim të rezervave shtetërore. Në një konferencë për media, e pyetur për këtë opsion, ajo ka thënë se nuk sheh arsye e madje ka thënë se s’ka as dyshim te zyrtarët e arrestuar.

“Sa i përket dorëheqjes sime, unë s’e shoh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje dhe të them me përgjegjësi e siguri të plotë, dhe nuk shoh asnjë arsye e as thjesht dyshim te zyrtarët që janë të ndalur sot”, ka thënë ajo.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka pranuar se janë bërë pagesa në avanc për furnizim me mallra në rezervat shtetërore. Ajo ka thënë se në fillim të qershorit sivjet kjo ministri ka njoftuar Avokaturën Shtetërore për inicim të procedurës gjyqësore se 3 për qind e furnizimit total me rezerva shtetërore në vitin 2022 është vonuar.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka akuzuar Policinë e Kosovës se në këtë ministri kërkesën për pranim-dorëzim të provave lidhur me dyshimet për dallavere në rezervat shtetërore, i ka bërë kundërligjshëm.

Pas arrestimit të dy zyrtarëve të MINT-it dhe një biznesmeni nën dyshimet për furnizim me mallra në rezervat shtetërore, Hajdari ka thënë se dokumentet që janë marrë si prova në Ministri kanë qenë të klasifikuara si sekrete shtetërore.

“Policia e njësisë hetuese s’ka prezantuar ceritfikatë të sigurisë sekrete. Pra kërkesa e Policisë për pranim-dorëzim të këtyre provave ka qenë në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar”, ka thënë ajo në një konferencë për media të premten.