Struga për herë të parë në play off, skuadra e Shpëtim Duros shkruan historinë

schedule08:05 - 18 Gusht, 2023

schedule 08:05 - 18 Gusht, 2023

Struga në “play-off” të Conference League për herë të parë në histori.

Skuadra shqiptare, që sezonin e fundit fitoi titullin e parë kampion në Maqedoninë e Veriut, zhvilloi një ndeshje heroike në Luksemburg. 2-1 përfundoi dueli i dytë përballë Hesperange, me djemtë e Shpëtim Duros që festuan kualifikimin falë suksesit 3-1 në Shkup. Struga luajti me dhjetë lojtarë që pas daljes me të kuq të Marjan Radeskit në minutën e 15-të.

Megjithatë, Besart Ibraimi shënoi një gol të bukur me kokë dy minuta më vonë. Goleadori 36-vjeçar kishte një tjetër mundësi të artë në fraksionin e parë, njësoj si Bunjamin Shabani, ndërkohë që vendasit u ndalën nga shtylla. Pjesa e dytë foli për Hesperange, që u përball me një super Vedran Kjosevski.

Portieri boshnjak i Strugës kreu disa pritje fantastike, teksa u dorëzua te goditja potente e brazilianit Gustavo (70’). Vendasit gjetën edhe golin e avantazhit në minutën e katërt shtesë me moldavin Lado Akhalaia. Në fund pati festë strugane, me “armatën” e Shpëtim Duros që do të sfidojë islandezët e Breidablik për një biletë në fazën e grupeve.

Me kualifikimin e sotëm, klubi shqiptar i Maqedonisë së Veriut ka arkëtuar deri në këtë fazë plot 1.4 milionë euro./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!