Blloku evropian ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zvogëluar praninë e policisë në dhe përreth objekteve komunale në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Gjatë një konference për media, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, megjithatë tha se duhen edhe hapa të tjerë që do të çonin në shtensionimin e mëtejmë të situatës në veri, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, shkruan REL.
“Këta janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të tjerë. Sikurse çdo gjë në dialog, afatet kohore nuk janë në dorë tonë. Afatet kohore varen nga aftësia e palëve për të përmbushur kërkesat e nevojshme, kriteret apo zotimet. Në mënyrë që të zbutet kriza aktuale, e kemi thënë shumë shpesh, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur në të gjitha katër komunat. Ato duhet të organizohen në mënyrë gjithëpërfishirëse. Kjo nënkupton pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, tha Stano.
Stano tha se për bllokun evropian, si ndërmjetësues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, është shumë e rëndësishme që ky proces të rinisë, në mënyrë që palët të mund të trajtojnë çështje të rëndësishme.