OKB i dha një goditje të rëndë presidentit Donald Trump, duke i kërkuar SHBA të tërheqë vendimin për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit. Rezoluta u miratua nga Asambleja e Përgjithshme me shumicë votash, ndër të cilat ishte edhe vota e Shqipërisë.
Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që i bën thirrje Shteteve të Bashkuara te Amerikes të tërheqin vendimin për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit. Dokumenti u miratua nga përfaqësues të 128 shteteve anëtare, mes të cilëve edhe Shqipëria. 35 vende abstenuan, ndërsa 9 vende, mes të cilëve edhe SHBA e Izraeli votuan kundër keësaj rezolute. Vlen të theksohet se kundër vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, u shprehen edhe vendet aleate si Mbretëria e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia, Japonia e shumë të tjerë. Në rezolutë thuhet se çdo vendim lidhur me statusin e qytetit të Jeruzalemit është “i pavlefshëm” dhe duhet të anullohet. Dokumenti u miratua nga shumica e vendeve anëtare të OKB, mëgjithë paralajmërimet dhe presionet që u bënë ditët e fundit nga Uashingtoni për vendet që do të votonin pro. Përfaqësuesja e SHBA në OKB, Nikki Haley, theksoi se pavarësisht votimit, ambasada amerikane do të zhvendoset nga Tel Avivi.
Nikki Haley, ambasadore e SHBA ne OKB: “Amerika do të vendosë ambasadën në Jerusalem. Kjo është ajo që populli amerikan dëshiron që ne të bëjmë. Dhe kjo është gjëja e duhur për të bërë. Votimi kundër në Kombet e Bashkuara nuk përban asnjë ndryshim. Por votimi do të ndryshojë mënyrën se si amerikanët e shikojnë OKB-në, dhe si i shohim vendet që na respektojnë në OKB. Ky votim do të mbahet mend”.
Ndërsa ministri i Jashtëm i Palestinës, tha se SHBA ka dështuar si ndërmjetësues për paqen.
Riyad Al-Maliki, minister i Jashtem i Palestines: “Ne dëshirojmë të konfirmojmë se vendimi amerikan nuk do të ndikojë në statusin dhe traditën e qytetit të shenjtë. Përkundrazi, kjo natyrisht ndikon në statusin e Shteteve të Bashkuara si një ndërmjetës për paqen, sepse ka dështuar në provën e Jeruzalemit, pavarësisht paralajmërimeve tona dhe paralajmërimeve të të gjithë botës”.
Kurse përfaqësuesi i Izraelit u shpreh:
Danny Danon, ambasador i Izraelit në OKB: “Asnjë deklaratë e UNESCO-s, as fjalimet boshe, asnjë rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme nuk do të na dëbojë kurrë nga Jeruzalemi”.
Ndërsa, kryeministri Izraelit, Benjamin Netanjahu tha përpara votimit se Organizata e Kombeve të Bashkuara është një shtëpi gënjeshtrash./abcnews.al