Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un i ka ndaluar gratë të veshin pantallona të shkurtra, duke e shpallur atë një modë të padëshirueshme kapitaliste. Megjithatë, i njëjti rregull nuk vlen për meshkujt.
Euronews raporton se një burim anonim nga Koreja e Veriut tha se rreth 10 gra u arrestuan për këtë veshje.
“Duhej të firmosnin një dokument që thoshte se do të përballeshin me pasoja ligjore nëse i kapnin sërish në pantallona të shkurtra”, shpjegoi ai dhe tha se gratë po protestojnë sepse qeveria i diskriminon.
Ndalimi i veshjes së pantallonave të shkurtra është një pjesë e re e ligjit të miratuar në vitin 2020.
Më herët në gusht, Radio Free Asia raportoi se ndalimi i pirjes së duhanit në publik ishte i kufizuar vetëm për gratë. Vetë Kim Jong Un njihet si duhanpirës, por ky fakt nuk e pengoi atë të vendoste gjoba për banoret femra.
Ndalimi i pantallonave të shkurtra nuk është gjithashtu ndalimi i parë i veshjeve që vendoset në Korenë e Veriut. Vitin e kaluar, grave iu ndalua të vishnin pantallona të ngushta dhe të lyenin flokët./abcnews.al