Reagime për akuzat e fundit kundër ish presidentit Trump

schedule15:27 - 15 Gusht, 2023

schedule 15:27 - 15 Gusht, 2023

Pas ngritjes së akuzës nga një juri në shtetin Xhorxhia kundër ish-presidentit Donald Trump dhe 18 personave të tjerë, demokratët thanë se kjo tregon që askush nuk është mbi ligjin. Republikanët në anën tjetër vlerësojnë se ky është një akt i motivuar politikisht kundër një kandidati në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer dhe udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, thanë në një deklaratë të përbashkët se aktakuzat e së hënës dhe tre aktpaditë e mëparshme tregojnë ppër “një model të përsëritur të aktivitetit kriminal nga ish-presidenti”.

“Veprimet e ndërmarra nga Prokurorja e Qarkut Fulton, së bashku me prokurorët e tjerë shtetërorë dhe federalë, rikonfirmojnë besimin e përbashkët se në Amerikë askush, madje as presidenti, nuk është mbi ligjin”, thanë udhëheqësit demokratë në Kongres, Schumer dhe Jeffries.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy tha në rrjetin social “X”, i njohur më parë si ‘Twitter’, se Presidenti Joe Biden “po e shfrytëzon qeverinë si armë kundër kundërshtarit të tij kryesor politik për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2024”.

Zoti McCarthy gjithashtu e akuzoi Prokuroren e Qarkut Fulton, Fani Willis për “sulm kundër Presidentit Trump dhe shfrytëzimin e akuzës për të mbledhur fonde për karrierën e saj politike”.

Ligjvënësja demokrate Nikema Williams, e cila përfaqëson zonën që përfshin një pjesë të qarkut Fulton, tha se zoti Trump u përpoq të manipulojë të drejtën e votuesve në Xhorxhia, sepse nuk i pëlqente rezultati i humbjes në zgjedhjet e vitit 2020.

“Ky ishte një sulm ndaj demokracisë sonë. Por, në qarkun Fulton ne e zbatojmë ligjin në mënyrë të barabartë për të gjithë, madje edhe ish-presidentët e dështuar”, tha zonja Williams përmes një deklarate.

Avokatët e zotit Trump, Drew Findling, Jennifer Litte dhe Marissa Goldberg, në një deklaratë të publikuar në orët e vona të së hënës, e quajtën aktakuzën “me po aq të meta dhe antikushtetuese, sa ka qenë i gjithë procesi”.

“Ky prezantim i njëanshëm i jurisë u mbështet në dëshmitarë që ushqejnë interesat e tyre personale dhe politike, disa prej të cilëve zhvilluan fushata kundër të akuzuarve dhe/ose përfituan kontrata për publikimin e librave të tyre dhe mundësi punësimi si rezultat i dëshmive të tyre”, thanë avokatët e zotit Trump.

Ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, e cila humbi kundër zotit Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, i tha televizionit amerikan “MSNBC” se të kesh një ish-president të akuzuar për krime të tilla “është një moment i tmerrshëm për vendin tonë”.

“Kënaqësia e vetme nga kjo situatë mund të jetë që sistemi po funksionon, që të gjitha përpjekjet e Donald Trumpit, aleatëve të tij dhe përpjekjeve të tij për të fshehur të vërtetën, për të minuar demokracinë, janë nxjerrë në dritë dhe drejtësia po zbatohet”, tha zonja Clinton.

Ligjvënësi republikan Jim Jordan shkroi në rrjetin social X se aktakuza e së hënës “është sulmi më i fundit politik në kuadër të Gjuetisë së Shtrigave të Demokratëve kundër Presidentit Trump”.

“Ai nuk bëri asgjë gabim!” shkroi zoti Jordan./VOA