Zv/Kryeministrja Senida Mesi priti kreun e Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferri. Palët u dakordësuan për të vijuar më tej intensifikimin e marrëdhënieve dhe kanë ndarë bindjen se Mbledhja e Parë e Përbashkët mes dy qeverive si dhe marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të saj, do të shërbejnë në këtë drejtim. Mesi ka ndarë mendimin për të pasur një pikë kufitare të vetme dhe ku zbatohen procedura më të thjeshtëzuara për qarkullimin e mallrave. Sipas saj, ndërtimi i linjës së konektivitetit 400 kilovolt mes Shqipërisë e Maqedonisë, Rruga e Arbrit dhe shumë projektet të tjera potenciale do t’i shërbejnë një komunikimi më të gjerë ekonomik mes dy vendeve. Xhaferri u prit edhe nga kryedemokrati Lulzim Basha që ndau vlerësimin dhe kënaqësinë që sjell caktimi i tij në krye të Parlamentit në vendin fqinj, si një shenjë kjo e emancipimit politik dhe progesit të shoqërisë maqedonase dhe si tregues i ecjes përpara në realizimin e të drejtave të shqiptarëve. Basha tha se PD ka mbështetur dhe ka nxitur vazhdimisht respektimin dhe përmbushjen e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe integritetin territorial të Republikës së Maqedonisë, si një interes strategjik i vendit tonë. Partia Demokratike, theksoi Basha, do të vazhdojë të mbështesë pa u kursyer procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO./abcnews.al