Largimi nga Rusia i kushtoi kompanive europiane 100 miliardë euro humbje

schedule09:44 - 9 Gusht, 2023

schedule 09:44 - 9 Gusht, 2023

Kompanitë më të mëdha europiane kanë regjistruar humbje prej të paktën 100 miliardë eurosh që nga pezullimi i aktivitetit të tyre në Rusi pas fillimit të luftës në Ukrainë në shkurt 2022, sipas një analize të Financial Times.

Më konkretisht, hetimi ka të bëjë me rezultatet financiare të 600 ndërmarrjeve, nga të cilat 176 kanë pësuar humbje si pasojë e shitjes, tarifave të këmbimit dhe shpenzimeve të tjera të jashtëzakonshme për shkak të veprimtarisë së tyre në tokën ruse.

Këto vlerësime nuk përfshijnë efektet indirekte makroekonomike të luftës, siç janë kostot më të larta të energjisë dhe mallrave.

Kompanitë me humbjet më të mëdha janë grupet e naftës dhe gazit, pasi vetëm tre kompani, gjigantët BP, Shell dhe TotalEnergies, raportuan humbje prej 40.6 miliardë eurosh.

Por humbjet u kompensuan kryesisht nga çmimet më të larta të naftës dhe gazit, të cilat ndihmuan grupet e naftës të raportonin fitime kumulative prej rreth 95 miliardë euro vitin e kaluar, raporton abcnews.al.

Shërbimet komunale morën një goditje të drejtpërdrejtë prej 14.7 miliardë eurosh, ndërsa kompanitë industriale, përfshirë prodhuesit e makinave, pësuan një humbje prej 13.6 miliardë eurosh.

Firmat financiare, përfshirë bankat, sigurimet dhe firmat e investimeve, kanë regjistruar 17.5 miliardë euro humbje. Siç raportohet, numri i entiteteve europiane që operonin në Rusi para luftës vlerësohet në 1871.

Nga këto, mbi 50% operojnë ende në vend. Mes tyre UniCredit italiane, Raiffeisen austriake, Nestle zvicerane dhe Unilever britanike, raporton abcnews.al

“Edhe nëse një kompani humbi shumë para duke u larguar nga Rusia, ata që qëndrojnë janë në rrezik të humbjeve shumë më të mëdha”, paralajmëron Nabi Abdulaev, partner në firmën e konsulencës strategjike Control Risks.

Zgjedhja e disave për t’u larguar menjëherë në fillim të luftës rezulton të jetë diçka e menduar mirë.

/abcnews.al