TIRANË- Gjykata e Tiranës caktoi të hënën masën e sigurisë “arrest me burg” për tre zyrtarët e repartit ushtarak në Zall Herr për kultivimin e 125 bimëve narkotike, të cilat u gjetën brenda territorit të repartit.
Pavarësisht se seanca e sotme është zhvilluar me dyer të mbyllura, gazetarja e ABC News, Xhensila Kodra ka mësuar detaje rreth deklarimeve, që kanë dhënë të tre zyrtarët e ushtrisë para togave të zeza.
Sipas dëshmisë, ata e kanë mohuar të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa janë shprehur se e kanë pasur të pamundur të kryejnë kontrolle në të gjithë sipërfaqen, e cila shkon rreth 140 hektarë.
“Ata kanë mohuar të jenë përgjegjës. Referuar burimeve nga organi i akuzës, të tre të dyshuarit nuk e kanë pranuar autorësinë për kultivimin e drogës. Ata kanë theksuar para prokurorisë dhe gjykatës së Tiranës se është 140 ha tokë dhe është e pamundur të kontrollohet e gjithë kjo sipërfaqe”, raporton gazetarja.
Avokatët kanë kërkuar një masë sigurie më të butë për tre oficerët e repartit ushtarak të Zall Herrit, por kjo kërkesë u refuzua.
Të arrestuarit janë:
Gramoz Mullai, 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë
Rustem Koçi, 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin
Gentian Zhurda, 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie./ n.m.abcnews.al
LEXO EDHE: Kanabisi në repartin e Zall Herrit, jepet masa e sigurisë për 3 ushtarakët

