Katër ushtarë sirianë dhe dy luftëtarë pro-iranianë u vranë në sulmet izraelite në periferi të Damaskut, tha një OJQ. Agjencia zyrtare siriane e lajmeve SANA raportoi për katër të vdekur ushtarakë dhe katër të tjerë të plagosur.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë joqeveritare me bazë në Britani që mbështetet në një rrjet të gjerë burimesh në terren, “katër ushtarakë sirianë, duke përfshirë një oficer, u vranë, si dhe dy luftëtarë pro-iranianë”.
Dy ushtarë të tjerë sirianë dhe pesë luftëtarë të huaj u plagosën në sulmet, të cilat kishin në shënjestër “vendet dhe depot e armëve dhe municioneve” pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Damaskut, sipas të njëjtit burim.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi gjithashtu se depot e armëve dhe municioneve të organizatave pro-iraniane, të cilat po luftojnë në anën e regjimit sirian, u shkatërruan.
Që nga shpërthimi i luftës në Siri në vitin 2011, Izraeli ka nisur qindra sulme në territorin sirian, shumica dërrmuese e tyre nga ajri, kundër pozicioneve të forcave të armatosura siriane dhe aleatëve të tyre, veçanërisht ushtrisë iraniane dhe grupeve të armatosur pro-iraniane.
Që nga fillimi i konfliktit të armatosur, i cili ka shkaktuar më gjysmë milioni njerëz dhe ka çrrënjosur miliona të tjerë, Teherani ka vendosur ushtrinë e tij, duke u paraqitur si trajnerë ose “këshilltarë”, për të mbështetur ushtrinë siriane.
Shumë prej tyre janë vrarë në sulmet ajrore izraelite.
/abcnews.al