Asfaltohet Rr. Mihal Grameno, Veliaj: Vijon puna cep më cep, Tirana në shtator, me energji dhe infrastrukturë të re dhe moderne

schedule11:52 - 4 Gusht, 2023

schedule 11:52 - 4 Gusht, 2023

Bashkia e Tiranës vijon asfaltimin e rrugëve, por edhe të gjitha rrugicave ku, deri më tani, nuk ishte ndërhyrë, duke vendosur ndriçim dhe sinjalistikë rrugore. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili gjatë mbrëmjes inspektoi punimet në kantierin e hapur në Rr. “Mihal Grameno” në kryeqytet, u shpreh se mandati i tretë do të jetë pikërisht përfundimi i çdo rrugice në çdo cep të Tiranës.

“Nëse mandati i parë ishte mandati i bulevardeve dhe i shesheve, kurse mandati i dytë ishte i rrugëve dhe akseve kryesore, mandati i tretë do të jetë mandati i rrugicave. Është tamam si “Rrugicat që kërkonin diell”, por në këtë rast, rrugicat kërkojnë asfalt dhe ndriçim led. Diell na ka dhënë Perëndia me shumicë, kurse ne, me besimin që na ka dhënë qyteti i Tiranës, duhet të punojmë cep e më cep. Puna do të vijojë gjithë Gushtin. Në momentin që, nga qendra e Tiranës deri në periferi, ti ke të njëjtin cilësi asfalti, këmba nuk të prek në baltë dhe në pluhur dhe ke të njëjtin ndriçim, do të thotë se ia kemi arritur që qytetin ta trajtojmë me të njëjtin respekt dhe dinjitet, si në qendër edhe në periferi,” u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se këtë verë, në Tiranë, janë hapur edhe disa kantiere të tjera të rëndësishme. “Disa kantiere janë në qendër, si Rr. “Xhorxh Bush”, rruga që shkon drejt Pazarit të Ri, lidhja e Sheshit “Skënderbej” me Pazarin e Ri, e gjitha për kualifikim; sapo kemi hapur një kantier shumë të madh te Teatri Kombëtar, ku do të jemi tamam si një operacion me bisturi, sepse është në mes të një Tirane plot me turistë; kemi ndërtimet te “5 Maji” dhe në Kombinat, apo edhe kantieret e Tiranës policentrike, siç është zona e Kinostudios; të gjitha këto janë kantieret më të mëdha të kësaj vere, përveç shkollave, kopshteve e çerdheve, që janë puna jonë rutinë e gushtit. Do të shfrytëzojmë kohën kur njerëzit janë me pushime për të bërë të gjitha punët e qytetit, që kur qytetarët të kthehen, të gjejnë surpriza të këndshme, si kjo rrugicë dhe dhjetëra rrugica të Tiranës,” deklaroi Veliaj.

Ai tha gjithashtu se Gushti, për bashkinë është muaji ku punohet edhe më shumë. “Shumë njerëz mendojnë se gushti është koha e pushimit, në fakt është krejt e kundërta për Bashkinë e Tiranës. Kur njerëzit janë me pushime për ne është momenti ideal që të hapim të gjitha rrugët për infrastrukturë. Mirënjohje qytetarëve dhe një falënderim për të gjithë ata që qëllojnë që janë këtu gjatë Gushtit, për të na mirëkuptuar teksa jemi lëshuar me gjithë mjetet e rënda cep më cep. Besoj se është një sakrificë e vogël që ia vlen. Kur shumica të kthehen nga pushimet, do të gjejnë jo vetëm shkollat e reja, kopshtet dhe çerdhet e dezinfektuara, gati për vitin e ri shkollor, por edhe një Tiranë më urbane. Kush mendoi se ky ishte asfalt elektoral, duhet të shikojë që, gjithë Korrikun dhe Gushtin, puna vlon, asfalti vlon, pavarësisht temperaturave, për të shfrytëzuar çdo moment të pushimeve, që Tirana të rikthehet në shtator me energji të reja, po edhe me një infrastrukturë të re dhe moderne,” u shpreh Veliaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!