TIRANË– Në Partinë Socialiste pritet që në shtator të kryhet një reformim i thellë, paralajmërim ky i dhënë nga kryeministri Edi Rama dhe njëherësh kreu i selisë rozë. Analisti Mentor Nazarko analizoi këto paralajmërime të shefit të mazhorancës, të ë cilat sipas tij mund të lidhen me shumë faktorë.
Ai theksoi mes tjerash se Rama duke parë edhe gjendjen e opozitës mund të tentojë të krijuar një re-legjitimitet të ri të PS. Sipas Nazarkos, një tjetër thash e them, i cili qarkullon në publik flet për një “provokimin të mundshëm” të zgjedhjeve të parakohshme.
“Përputhet me një lloj tradite të z. Rama, se nuk do të krijojë idenë, që pushimet e verës janë pushime totalisht pasive për veprimtarinë e qeverisë dhe të tijën personale. Së dyti, është një veprim, i cili koinçidon ne terma kohorë me veprimin aktiv të SPAK, në një çështje që implikon institucione të caktuara. Së treti, koinçidon me një thash e them, se ndoshta në varësi të hetimeve të SPAK, që mund të prekin nivele të caktuara të qeverisjes socialiste që është prej dhjetë vjetësh në pushet dhe për pasojë ka konsum të jashtëzakonshëm të besueshmërisë, pra, në një perspektivë të tillë, Rama kërkon një lloj re-legjitimimi të ri të PS nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme. Mund të jetë katarsis, por edhe përgatitje të PS për re-legjitimim të ri elektoral. Provokim të zgjedhjeve të parakohshme, në mënyrë që nëpërmjet këtij ballafaqimi, kur opozita është në pikën më të dobët, PS të kapërcejë këtë moment të krizës apo të mungesës së besueshmërisë morale në gjirin e popullsisë”, tha ai.
Më tej, Nazarko u shpreh në ABC News se edhe zhvillimet e fundit, të cilat kanë ndodhur në opozitën shqiptare duket se i shtojnë “zë” idesë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Ka shumë shenja që e parathonë këtë, ndonëse në një kuptim edhe zhvillimet brenda PD mund të jenë interesante për ta favorizuar hipotezën e zgjedhjeve të parakohshme. Me ardhjen e z. Basha në krye të PD legale.”, shtoi ai./ n.m.abcnews.al