Djali i madh i presidentit kolumbian Gustavo Petro, Nicolas Petro është arrestuar këtë të shtunë me akuzën e pastrimit të parave dhe pasurimit të pabazë , në sfondin e një skandali të lidhur me fushatën zgjedhore të babait të tij.
Mediat e huaja shkruajnë se Nicolas Petros, i cili është një ish-deputet është arrestuar m në të njëjtën kohë me ish-bashkëshorten e tij, Daisouris Vasquez, e cila e akuzon për lidhje me trafikantë dhe kontrabandistë droge.
Sipas prokurorisë, Nicolas Petros u arrestua për veprat penale të pastrimit të parave dhe pasurimit të pabazë dhe ish-bashkëshortja e tij për “pastrim parash dhe shkelje të të dhënave personale”.
Në mars, Vazquez akuzoi ish-partnerin e saj se kishte marrë shuma të mëdha parash nga trafikantët dhe kontrabandistët e drogës në vitin 2022 për të mbështetur fushatën zgjedhore të babait të tij, por duke e përdorur atë për të jetuar një jetë luksoze në qytetin verior kolumbian të Barranquilla.
Gustavo Petro, presidenti i parë i majtë i Kolumbisë, shprehu keqardhjen për arrestimin e djalit të tij dhe siguroi se ai do të garantonte pavarësinë e gjyqësorit. “Si burrë dhe si baba, jam thellësisht i pikëlluar nga vetëshkatërrimi i tij dhe fakti që një nga fëmijët e mi është në burg”, shkruan ai në Platformën X. “I uroj fat dhe forcë. Lërini që ngjarjet të farkëtojnë karakterin e tij dhe ta lejojnë të reflektojë për gabimet e tij. Siç e sigurova prokurorin e përgjithshëm, nuk do të ndërhyj dhe as nuk do të ushtroj presion në vendimet e tij, që të mbizotërojë ligji”, vazhdoi ai.
Presidenti kolumbian mohon të ketë marrë para nga tregtarët e drogës dhe vetë kishte kërkuar një hetim për djalin e tij./abcnews.al