TIRANË- Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Gjergji Hani ka votuar në zgjedhjet e sotme. Me një fjalë të shkurtër para gazetarëve, Hani komentoi mbledhjen e Këshillit Kombëtar të së enjtes, ndërsa tha se ky proces nuk ka asnjë vlerë ligjore. Sipas tij takimi nuk ka asnjë lloj firme dhe është bërë online.
“Sa i takon vendimit të Bardhit, nuk ka asnjë vlerë ligjore. Nuk ka asnjë lloj firme dhe i bërë online me platformën “zoom”, tha ai.
I pyetur nga media nëse beson tek fitorja përballë rivalit, Lulzim Basha, Hani dha këtë përgjigje:
“Le të kërkojmë dhe të përpiqemi të ketë mbarëvajtje, që të mos e thyejmë mbarëvajtjen e heshtjes zgjedhore. Fitojnë të gjithë, fiton Partia Demokratike”, tha ai.
Ai ftoi anëtarët e Partisë Demokratike të dalin dhe të votojnë, në mënyrë që nesër të kenë të drejtë të kërkojnë llogari për lidershipin e tyre.
“Ju falënderoj që po pasqyroni këtë ngjarje të jashtëzakonshme, në këtë ditë të jashtëzakonshme. Thirrje demokratëve që të dalin të votojnë, për të kërkuar nesër llogari. Pjesëmarrja është vlerë e demokracisë dhe se duhet t’i kthejmë moralin kësaj partie.”, u shpreh Hani./ n.m.abcnews.al