Prej disa kohësh tashmë, “qytetarët” e Manchester City janë në negociata e sipër për transferimin e talentit kroat të mbrojtjes, Josko Gvardiol, mirëpo ndryshe nga çfarë është raportuar më herët në media, kampionët e Anglisë, ende nuk e kanë gjetur akordin me “demat” gjermanë.
Sipas raportimeve më të fundit nga tabloidet britanike, ditën e sotme, “demat” e Leipzig i kanë vënë një afat “zyrtar”, “qytetarëve”, për të dorëzuar ofertën finale për Gvardiol, afat që kap datën e 12 gushtit, ditë e cila përkon me përballjen e Superkupës së Gjermanisë, ndaj Bayern Munich.
Për shërbimet e një ndër talenteve më premtues në futbollin evropian, Leipzig kërkon plot 100 milionë euro, shifër kjo e përballueshme nga “qytetarët” e Manchester City dhe në rast plotësimi të kushteve të gjermanëve, Gvardiol do të bëhej mbrojtësi më i shtrenjtë në historinë e futbollit. /i.m /abcnews.al