Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Rashkaj zbulon Kosovën: Dikur s’kishim as uniforma, talentin e kemi në gjak!

schedule20:52 - 24 Shtator, 2019

schedule 20:52 - 24 Shtator, 2019

“Fëmijët e luftës”, kështu e quajnë në Greqi përfaqësuesen e Kosovës, për të cilën mesfushori Anel Rashkaj ka dhënë një intervistë për “gazzetta.gr”. Dardanët nuk e nisën mirë, kur kujton se pas barazimit me Finlandën morën 9 humbje dhe i mbyllën kualifikueset e Botërorit të Rusisë në vendin e fundit.

Më pas erdhi kthesa dhe Kosova në 15 ndeshjet e fundit mori 10 fitore dhe 5 barazime, deri në disfatën me Anglinë. Rashkaj, në intervistën e tij rendit arsyet e rezultateve pozitive të dardanëve.

“Arsyeja pse po ecim mirë është se gjithmonë Kosova ka pasur lojtarë të mirë. Një arsye tjetër është eksperienca e fituar në kualifikueset e Botërorit, për të mos harruar edhe mbështetjen fantastike që marrim nga shqiptarët e Kosovës në mbarë botën. Këto janë arsyet pse kemi arritur në pikën që pretendojmë një vend në finalet e Euro 2020”.

Ai ka fjalë të mira edhe për teknikun Bernard Challandes: “Mendoj se ai është një trajner shumë  i mirë. Është mënyra e vetme për të motivuar futbollistët. Ai gjithashtu merr vendime të mirë dhe të drejta për përfaqësuesen”. Rashkaj beson shumë te kualifikimi i Kosovës në Euro 2020.

“Ne besojmë te kualifikimi. Pse jo?! Për sa kohë diferenca me Çekinë është e vogël, gjithçka është e mundur”, shton mesfushori. Më tej ai flet edhe për Kosovën e para 10 viteve, kur lojtarët nuk kishin as uniforma të stërviteshin normalisht.

“Kam lëvizur drejt Suedisë që në moshën 14-vjeçare, por e kam përfaqësuar Kosovën për herë të parë në vitin 2009. Atëherë ne ende nuk ishim pranuar nga FIFA dhe UEFA. Mbaj mend që 10 vite më parë nuk kishim rrova për t’u stërvitur dhe tani jemi pjesë e këtij suksesi. të gjitha këto lojëra janë shumë motivuese për mua dhe jam shumë i lumtur”, shton mesfushori.

Rashkaj në fund pyetet edhe se si ka mundësi që Kosova ka kaq shumë talente, por nuk e ka një përgjigje: “Është e vështirë të jap një shpjegim sepse në Kosovë gjithnjë ishte e vështire sa i përket anës ekonomike, ndërsa kampionati nuk ishte dhe aq cilësor. Nuk mund t’iu them ndonjë mënyrë se si punuam për të dalë në pah të gjithë këta futbollistë. Mendoj se e kemi në gjak, talentin tonë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!