Kurti fajëson aleatët për përgjegjësitë e tij: “Në vend të reflektimit, ata më godasin mua”

schedule23:44 - 23 Korrik, 2023

schedule 23:44 - 23 Korrik, 2023

Edhe pas disa muajsh që ka zhytur në krizë Kosovën për shkak të tensioneve në Veri, kryeministri Albin Kurti vijon të mos mbajë asnjë përgjegjësi dhe fajin e kalon tek ndërkombëtarët. Në një intervistë për gazetën kroate “Veçernji List” Kurti deklaron se SHBA dhe BE po e godasin atë dhe mbrojnë Vuçiç.

“Në vend të reflektimit dhe introspeksionit të tyre, ata më godasin mua. Brukseli dhe Uashingtoni e lejuan Vuçiqin që të mos e nënshkruante marrëveshjen nga Brukseli dhe Ohri, pastaj që ta shkelte atë marrëveshje dhe ja ku jemi në një situatë në të cilën ekziston asimetri drastike në qasje. Masa ndëshkuese ndaj meje, dhe nga ana tjetër falje për presidentin Vuçiç. Kjo është një padrejtësi. Por thonë se këto masa do të jenë afatshkurtra, të përkohshme dhe të kthyeshme, andaj të shohim.”, tha Kurti.

Por këto qëndrime të tij kundër aleatëve të Kosovës, Albin Kurti i quan dallime të vogla.

“Me faktorët ndërkombëtarë, edhe evropianët edhe amerikanët, kemi komunikim dhe koordinim të rregullt, por kemi edhe dallime të vogla, herë përsa u përket taktikave, e ndonjëherë, eventualisht, strategjive. Por përsa iu përket vlerave, interesave dhe qëllimeve nuk kemi asnjë dallim”, u shpreh ai.

Pavarësisht premtimit që u ka dhënë ndërkombëtarëve për depërshkallëzim të situatës në veri, konkretisht Kurti vepron ndryshe.

“Por unë nuk mund ta nxjerr menjëherë policinë nga ato ndërtesa sepse jashtë ekzistojnë elementë të ndryshëm ekstremë të krimit të organizuar dhe në të njëjtën kohë elemente të strukturave paralele ilegale të Serbisë. Prandaj i jam përgjigjur kërkesës së tyre duke ulur proporcionalisht dhe gradualisht numrin e policëve. Nga ana tjetër kam thënë se nuk mund të detyroj askënd të japë dorëheqje apo të largohet nga ndërtesat zyrtare që janë në fakt pronë e Republikës sonë, por ejani të bëjmë zgjedhje të parakohshme”, theksoi kryeministri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!