Australia dhe Shtetet e Bashkuara kanë filluar stërvitjet më të mëdha ushtarake me trupa ushtarake të kombinuara me 13 vende të tjera të quajtur “Operacioni Talisman Sabre”. Sipas Sekretarit të Marinës amerikane, Carlos Del Toro operacioni ka për qëllim që t’i dërgojë mesazh Kinës se aleatët e Amerikës po bashkëpunojnë për të mbrojtur sigurinë dhe vlerat e tyre demokratike.
Stërvitja “Talisman Sabre” filloi në vitin 2005 si një stërvitje e përbashkët dyvjeçare midis Shteteve të Bashkuara dhe Australisë, por këtë vit është zgjeruar duke përfshirë 13 vende dhe një personel ushtarak prej më shumë se 30,000 vetave.
Pamjet nga stërvitja tregojnë personelin e Forcave të vendeve të ndryshme në veprim gjatë provave me armë zjarri.
Duke folur për mediat australiane të shtunën, shefi i Komandës së Operacionit të Përbashkët, Gjeneral Major Greg Bilton tha se stërvitja “vë në provë koordinimin tonë”.
“Ndërsa keni parë stërvitjen me armë zjarri, ajo që nuk keni parë në prapaskenë është komanda dhe koordinimi shumëkombësh në identifikimin e objektivave dhe eliminimin e tyre”, thotë Gjeneral Major Greg Bilton shef i Komandës së Operacionit të Përbashkët.
Sekretari i Marinës së Shteteve të Bashkuara, Carlos Del Toro, tha të premten se stërvitja e madhe ushtarake shumëkombëshe e nisur në Australi i dërgon një mesazh Kinës se aleatët e Amerikës po bashkëpunojnë për të mbrojtur sigurinë dhe vlerat e tyre demokratike.
“Mendoj se mesazhi më i rëndësishëm që Kina mund të marrë nga kjo stërvitje dhe çdo gjë që aleatët dhe partnerët tanë bëjnë së bashku, është se ne jemi jashtëzakonisht të lidhur nga vlerat thelbësore që ekzistojnë mes shumë vendeve tona dhe ne jemi të përgatitur të veprojmë së bashku në mbrojtje të interesave tona të sigurisë kombëtare dhe në mbrojtje të vlerave thelbësore që ne të gjithë ndajmë si vende perëndimore dhe joperëndimore”, tha Sekretari i Marinës amerikane, Carlos Del Toro.
Sekretari Del Toro gjithashtu tha se platformat ushtarake tokësore, detare dhe ajrore po bëhen gjithnjë e më të ndërlikuara dhe aleatët duhet të stërviten së bashku për të qenë në gjendje të veprojnë si grup.
Sekretari Del Toro dhe homologu australian Richard Marles ishin optimistë edhe për marrëveshjen AUKUS, sipas së cilës Shtetet e Bashkuara dhe Britania do t’i ofrojnë Australisë një flotë nëndetësesh bërthamore amerikane.
Marrëdhëniet e ngushta mes Uashingtonit dhe Kanberras u theksuan të shtunën kur anija e re luftarake amerikane “USS Canberra” u fut në funksion në Sidnej.
Kjo anije, e ndërtuar nga prodhuesi australian Austal, është anija e parë luftarake amerikane që aktivizohet në një port të huaj.
“Unë shpesh flas për forcën më të madhe që kemi si vend dhe kjo është forca e miqve tanë, e aleatëve dhe partnerëve tanë që punojnë së bashku, pavarësisht nëse është këtu në Indo-Paqësor apo Amerikën Qendrore dhe Jugore me stërvitjen detare shumëkombëshe UNITAS, apo edhe në Evropë, kjo është forca e vendeve të lira që punojnë së bashku si një njësi”, tha Sekretari i Marinës Amerikane.
Anija e parë me emrin “USS Canberra” filloi punën në vitin 1943. Ajo u fundos nga japonezët në vitin 1942 duke shkaktuar vdekjen e 193 personave në bord ndërsa mbështeste zbarkimet e marinsave amerikanë në Ishujt Solomon.
Ishujt Solomon janë përsëri një shqetësim sigurie për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj pas marrëveshjeve të fundit të sigurisë që vendi i Paqësorit Jugor ka nënshkruar me Pekinin.
Anijet kineze të spiunazhit i janë ofruar vendit ku po mbahet stërvitja “Talisman Sabre” disa herë që nga viti 2017.
Fixhi, Franca, Indonezia, Japonia, Koreja e Jugut, Zelanda e Re, Papua Guinea e Re, Tonga, Britania, Kanadaja dhe Gjermania po marrin pjesë në stërvitjen e këtij viti, që do përfundojë më 4 gusht.
Filipinet, Singapori dhe Tajlanda po ndjekin stërvitjen si vëzhgues./voa