KOSOVË- Opozita në Kosovë ka kërkuar të nisin hetimet për përgjimet e shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës, me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiç. Eksperti i sigurisë Bedri Elezi tha për “Ballkan Update”, se duhet të fillojnë hetimet dhe nuk ka asgjë të keqe në këtë proces pasi qytetarët duhet ta dinë se çfarë ka ndodhur konkretisht.
“Nuk ka asgjë të keqe, që institucionet ligjzbatuese të fillojnë hetimet dhe të shikohet se çfarë në të vërtetë ka ndodhur me takimet në fjalë”, theksoi ai.
Ai theksoi se ka informacione, të cilët janë shpërndarë në opinionin publik dhe flasin për publikime të reja të audio-përgjimeve.
“Në fakt tani në opinioni publik ka kaluar informacioni se mund të ketë publikime të tjera. Kjo është shumë shqetësuese, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për një takim mes autoriteteve të Kosovës dhe organizatave terroriste që ka shpallur Kosova, por kemi të bëjmë më shumë takime”, tha ai.
Sa i takon serbëve të liruar për tensionet në veri, Elezi thotë se personat e akuzuar për vepra terroriste nuk mund të lirohen me procedurë të rregullt. Sipas tij, të arrestuarit janë persona përsëritës të veprave të dhunës dhe si e tillë lirimi i tyre nuk garanton se ata nuk do të kryejnë akte të dhnushme.
“Këta persona qeveria e Kosovës i ka cilësuar si anëtarë të grupeve terroriste, të cilët kanë rrezikuar sigurinë e Kosovë, por edhe ndërkombëtarët dhe tani po lirohen me procedurë të rregullt. Veprat që mund të dënohen mbi katër vjet, duhet të mbahen nën masë arresti, sepse personat mund të largohen. Në procedurë të rregullt lirohen se garantohet se nuk eksiton rreziku i ikjes dhe nuk eksiton rreziku i përsëritjes. Personat në fjalë janë recidivistë”, theksoi ai./ n.m.abcnews.al