Sipas autoriteteve italiane, 18 qytete të vendit do të qëndrojnë në gatishmëri të lartë, për shkak të valës së të nxehtit që po prek vendin.
Vapa intensive do të regjistrohet kryesisht në rajonet qendrore dhe jugore të vendit, ndërsa në veri të Italisë temperaturat e larta do të fillojnë të ulen.
Ministria italiane e Shëndetësisë rekomandon kujdes të madh edhe nesër. Në veçanti, thekson se qytetarët që jetojnë në zonat e Barit, Firences, Katanias në Siçili, Rigios në Kalabri dhe Romës duhet të kufizojnë sa më shumë lëvizjet e tyre gjatë orëve të drekës.
Sipas parashikimeve meteorologjike, temperatura më e lartë do të regjistrohet në Sardenjë, sot merkuri arriti në 47.7 gradë.
Ndërkohë, 25% e pacientëve që janë transferuar në urgjencën e spitaleve italiane në tre ditët e fundit kanë pasur probleme shëndetësore të lidhura me temperaturën e lartë dhe lagështinë e lartë. Pranimet në spitalet e vendit u rritën me gjithsej 20%.
Prej ditës së sotme ka nisur linja telefonike 1500 për të ofruar informacione të dobishme për qytetarët, si të mbrohen nga të nxehtit, ashtu edhe ku të drejtohen në rast emergjence.
Mjekët e spitalit sqarojnë se kryesisht të moshuarit po vuajnë nga vapa e zgjatur e ditëve të fundit dhe u kërkojnë të afërmve, si dhe “mjekëve të familjes” të çdo qarku, të bëjnë gjithçka për të ndihmuar të moshuarit, me synimin kryesor të mos detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre.