Një forcë e re ushtarësh që i është bashkëngjitur frontit të luftës në Ukrainë, është krijuar nga Rusia duke u bazuar edhe mbi disa ndryshime ligjore që ia lejojnë Vladimir Putinit këtë.
Sipas raportimeve të fundit, Kremlini ka rritur moshën maksimale për ushtarët e saj deri në dhjetë vjet për të lejuar përgatitjen e forcës së re me 100,000 ushtarë.
Kjo forcë e re ushtarake e Vladimir Putin është angazhuar për të sulmuar zonën përreth Kupyansk në sektorin verior të vijës së frontit në Ukrainë, sipas shefave ushtarakë në Kiev.
Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, kolonel Serhi Cherevaty tha se Rusia kishte urdhëruar batalionet e ish-të dënuarve Storm-Z të përgatiteshin për betejë dhe po godet me më shumë se 500 predha në ditë rreth Kupyansk.
“Armiku ka përqendruar një grup shumë të fuqishëm. Më shumë se 100,000 ushtarë, më shumë se 900 tanke, më shumë se 550 sisteme artilerie dhe 370 sisteme raketash salvo aty”, tha ai.
Ndërkohë, agjencitë ruse të lajmeve pretendojnë se forcat e tyre kanë avancuar rreth një milje drejt Kupyansk.
Sipas një ligji të miratuar së fundmi, rezervistët me gradën më të lartë mund të thirren përsëri në shërbim deri në moshën 70 vjeç, në vend të moshës së mëparshme që ishte 65 vjeç.
Burrat që kanë kryer edhe shërbimin e detyrueshëm mund të rihyjnë në ushtri deri në moshën 55 vjeç dhe jo 45 vjeç. Kjo nismë që u shndërrua në ligj nga Putin, vjen pasi qindra mijëra burra u larguan nga vendi në shtator kur presidenti urdhëroi mobilizimin pa paralajmërim.
Me nivelet më të ulëta të lindjeve në 23 vjet, Rusia po përballet me dobësimin e ushtrisë, teksa një raport i fundit zbuloi se të paktën 47,000 ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
/abcnews.al