“Bastisen” pronat e Ahmetajt/ Agjentët e BKH në pronat e ish zv/kryeministrit. Dyshohet shitje fiktive, reagimi: Fiktive janë akuzat

schedule15:01 - 18 Korrik, 2023

schedule 15:01 - 18 Korrik, 2023

Gjykata e Posaçme miratoi kërkesën e SPAK, duke vënë në sekuestro katër apartamente që dyshohet se janë shitur fiktivisht nga ish zv.Kryeministri Arben Ahmetaj dhe ish-bashkëshortja e tij, Albina Mançka.

Nuk dihet se çfarë do të bëhet tashmë me kërkesën e SPAK, pasi janë shitur dhe kanë pronarë të tjerë.

Po ashtu, me vendim të gjykatës, agjentët e Byrose Kombëtare të Hetimit kanë kontrolluar edhe tre banesa në pronësi të lidhjeve të afërta me Ahmetajn, e konkretisht dy vila në Hamallaj dhe një në Palasë.

Agjentet e BKH-së ushtruan kontroll edhe në një banesë që ndodhet në zonën e Liqenit në Tiranë, pronë e cila ishte e marrë me qira.

Arben Ahmetaj akuzohet nga SPAK për tre vepra penale, korrupsion në 6 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Pas kontrolleve reagoi edhe vetë ish ministri Arben Ahmetaj. Në një status në Facebook, ai thotë se shifra 1.8 mln euro që ka dalë si pjesë e hetimeve s’është gjë tjetër veçse një lajm i rremë.

“Sot u bë raprezalja e rradhës në familjen time, nga mosha 82 vjeç e poshtë. Madje pleqve iu janë marrë dhe celularët, në kërkim të provave për “inceneratorët”. Ndërsa “spin doctor”/kontakt inceneratorësh, ka qarkulluar lajmin e rremë se qenkan transferuar 1,8 milionë euro… Në vend të merren me fondet e inceneratorëve, merren me 1,8 milione euro imagjinarë. Fake news e prodhuar në laboratorët e ortakërisë mediatike dhe jo vetëm, të inceneratorëve ….”

Vendimi i gjykatës vjen pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme që e heton ish zyrtarin e lartë si të përfshirë në çështjen e inceneratorëve./abcnews.al