SHQIPËRI- Rezidenca qeveritare po merrte shkëlqimin e fundit, përpara mbërritjes së fqinjëve. Masat e sigurisë dhe forcat e policisë tregonin rëndësinë e mysafirëve. I zoti i shtëpisë erdhi kur gjithçka ishte gati. E para mbërriti kryeministrja serbe. Më pas me radhë, shefja e qeverisë boshnjake dhe Dritan Abazoviç nga Mali i Zi. Por ballkanasve ju desh të prisnin dy orë për të ardhur ndërlidhësi i Brukselit Oliver Varheli.
I fundit mbërriti kryeministri maqedonas Kovaçevski. Në tryezën përgatitore të Tiranës përpara takimit të radhës së procesit të Berlinit në 16 tetor në vendin tonë, mungoi Kosova. Albin Kurti zgjodhi të ishte në Kretë në një takim me shoqërinë civile dhe jo në tavolinë me kryeministrat e tjerë të rajonit.
Në fund të takimit, Rama doli në një konferencë shtypi për të treguar se çfarë folën 5 kryeministrat e Ballkanit Perëndimor. Nuk preferoi të ndalej gjatë tek mungesa e Albin Kurtit, i cili e refuzon Ramën për të tretën herë në një kohë të shkurtër.
Shefi i qeverisë së Kosovës premton t’i shkrijë akujt me Edi Ramën më 16 tetor dhe zotohet të vijë në Tiranë pikërisht në këtë ditë kur do të mbahet takimi i radhës i Procesit të Berlinit./ abcnews.al