KFOR “ul” dronët e Kurtit, NATO: Përgjegjës për ajrin jemi ne, FSK për fikjen e zjarreve

schedule18:45 - 17 Korrik, 2023

schedule 18:45 - 17 Korrik, 2023

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është deklaruar për përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve, përfshirë Bayraktar TB-2, për të cilin ka thënë se ka autoritetin parësor për hapësirën ajrore mbi vendin.

Këtë deklarim KFOR-i e bëri përmes një komunikate për media një ditë pasi kryeministri Albin Kurti njoftoi se Kosova ka blerë dronin Bayraktar TB-2 nga Turqia.

“Lidhur me përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve dhe kufizimet përkatëse, duke përfshirë Bayraktar TB-2, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, Komandanti i Forcave të Kosovës (KFOR) ka autoritetin kryesor për hapësirën ajrore mbi Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Sipas KFOR-it, hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovë nga një vend në tjetrin përmes fluturimeve komerciale.

“Hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovën nga një vend në tjetrin përmes fluturimeve komerciale; hapësira e poshtme ajrore mund të përdoret për nevoja specifike, rast pas rasti dhe sipas autorizimit të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it. Presim që institucionet në Kosovë të sigurojnë koordinim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese”, thuhet po aty.

Në komunikatë thuhet po ashtu se KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e përmendur të OKB-së.

KFOR-i ka shprehur edhe mbështetjen për Forcën e Sigurisë së Kosovës, sipas mandatit të tyre fillestar.

“Mbështesim FSK-në për operacionet e mbrojtjes civile siç janë shuarja e zjarrit, asgjësimi i mjeteve shpërthyese, kërkimi dhe shpëtimi dhe reagimi ndaj derdhjeve të materialeve të rrezikshme”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!