Balla kritikon policinë: Nuk ka bërë detyrën për dhunën në Krujë

schedule10:26 - 17 Korrik, 2023

schedule 10:26 - 17 Korrik, 2023

Ndëshkimi për dhunën barbare që ushtruan djali dhe vëllezërit e ish deputetit socialist Rrahman Rraja në Krujë, është porosia e parë që Taulant Balla dha si Ministër i Brendshëm. Në daljen e tij të parë para drejtuesve të policisë, Balla nuk i kurseu kritikat ndaj tyre. Ai tha se dhunusit duhet të arrestohen.

“Policia e Shtetit ende nuk e ka bërë detyrën e saj për të ndëshkuar ligjërisht dy individët e lartpërmendur, të cilët e kanë vendin para drejtësisë një orë e më parë. Por ajo skenë e shëmtuar në Fushë-Krujë ka një përmbajtje shumë më domethënëse për Policinë e Shtetit se sa kapja autorëve të saj. Sepse ajo skenë flet për një situatë të mahisur më parë, nga toleranca e papranueshme e policisë së asaj zone, e cila nuk i dëgjoi ankesat e banorëve dhe për pasojë zgjodhi të bëhej mburojë e paligjshmërisë, duke u sjellë si e fortë me të dobëtit dhe e dobët me të fortët. Shkrirja e komisariatit të Fushë-Krujës ishte përgjigja e duhur ndaj një dështimi shumë më të gjerë dhe më të thellë, se sa gurorja e konfliktit që e nxorri dështimin në sipërfaqe”.

Me firmën e kryepolicit Muhamet Rrumbullaku, në Komisariatin e Krujës u shkarkuan këtë të hënë 3 drejtuesit e saj kryesorë, si dhe transferimin e 26 oficerëve të tjerë.

Balla u bëri të qartë drejtuesve të policisë se kush deputet ndërhyn në punën e tyre, nuk do të ketë asnjë tolerim, ndërsa u sugjeroi që emrat e tyre ti adresojnë tek ai.

“Kush do të pranojë ndërhyrje nga deputetët për çfarëdo lloj aspekti konkret në dinamikën e kryerjes së detyrës së vet, nuk do të mund të paraqesë asnjë justifikim për të qëndruar më tej në detyrë. Deputeti ka detyrë t’ju drejtohet për çdo shqetësim, ju keni detyrë t’i dëgjoni me respekt sa herë ju bie telefoni prej deputetëve, por për çdo rast që arsyeja e telefonatës përbën ndërhyrje në kryerjen e detyrës suaj, ju kërkoj që deputetin ta drejtoni tek unë”.

Kritik, Ministri i Brendshëm, u tregua edhe me punën e Agjensisë së Mbikqyrjen Policore, duke i kërkuar që të mos ndëshkojë vetëm oficerët e policisë, por edhe drejtuesit e korruptuar.

“Lufta kundër korrupsionit nuk nis jashtë nesh, por së pari brenda rradhëve tona. Pyetja ime kaq kohë pas krijimit të Agjencisë si një derivat i SHKB-së së dikurshme, sa drejtues a shefa komisariatesh të Policisë së Shtetit janë kapur me presh në duar? Nuk i vë në diskutim këtu rezultatet e agjencisë, të kuptohemi qartë, por ama nuk mund të mos vë në diskutim faktin se pas statistikave të saj qëndron e vërteta se janë goditur shumë keqbërës të vegjël nën uniformë, por keqbërës të mëdhenj më shumë se sa pak, për të mos thënë aspak!”

Porosi u la edhe për luftën kundër drogës.

“Ndaj ju lutem, mos të më thotë askush se një rrënjë kanabisi e ka një shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë dhe se një parcelë kanabisi e ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!