14 mijë shqiptarë aplikuan për azil nga Janari deri në Korrik të këtij viti. Të dhënat janë bërë publike nga Zyra Evropiane e mbështetësve të Azilantëve, sipas të cilës janë 24% më shumë shtetas shqiptarë që kanë kërkuar të lenë vendin krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ikja u duket zgjidhja më e mirë një numri të konsiderueshëm të shqiptarëve. Këtë e tregojnë të dhënat e Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilantëve (EASO).
Për periudhën Janar-Korrik të këtij viti, aplikimet për azil nga Shqipëria në një nga vendet e Bashkimit Europian ishin gjithsej rreth 14 mijë, me një rritje të ndjeshme prej 24%, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rreth 90% e këtyre aplikimeve janë për herë të parë, por ka dhe nga ata që e provojnë sërish ndonëse janë refuzuar një herë. Gjatë 7 muajve të parë të vitit 2019 kanë ikur pa e kthyer kokën pas rreth 2 mijë persona në muaj. Rritja e tendencës për t’u larguar është konstatuar që në muajt e fundit të 2018-s.
Ritmet e ikjes krahasohen me ato të vendeve të luftës, apo në konflikte të forta, duke e renditur Shqipërinë në listën e 10 shteteve me numër më të lartë aplikimesh. Në Korrik për shembull nga Shqipëria kishte 1995 aplikime gjithsej, ndërsa nga Siria kishte 6.543 nga Afganistani 5.040, nga Venezuela rreth 3.800 pa harruar faktin se këto shtete kanë një numër shumë të lartë popullsie krahasuar me vendin tonë.
Sa i përket numrit të njerëzve në të gjithë botën, të cilët janë detyruar të shpërngulen nga shteti i tyre si pasojë e luftës apo dhunës, ka arritur një rekord të ri, në 28 milionë në vitin 2018.
Si pjesë e të dhënave të bëra publike nga Internal Displacement Monitoring Centre (IDMC), flitet kryesisht se më tepër se gjysma që i takon Lindjes së Mesme dhe Afrikës Subsahariane, por shpërngulje kanë parë edhe shumë shtete të tjera në botë.
Sipas hartës së raportit të IDMC, në Shqipëri njerëzit janë shpërngulur për shkak të katastrofave natyrore, numri i të cilëve arrin në 110 në 2018, me ulje drastike nga një vit më parë që ishte 3.500.
Sipas raportit, nuk ka pasur konflikte që të detyrojë shtetasit shqiptarë të zhvendosen. Ndërsa shifra më e lartë raportohet në vitin 2015, përkatësisht 4.200 janë shpërngulur për shkak të katastrofave natyrore./ABC News Albania 24/7