Putin: ‘Qëllimet’ e marrëveshjes së grurit nuk u arritën

schedule19:17 - 15 Korrik, 2023

schedule 19:17 - 15 Korrik, 2023

Presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi sot se nuk është arritur qëllimi kryesor i marrëveshjes së grurit të Ukrainës, e cila skadon të hënën, më 17 korrik, në një bisedë telefonike që pati me homologun e tij afrikano-jugor, Cyril Ramaphosa.

“Vladimir Putin theksoi se angazhimet e marra në memorandumin Rusi-OKB për të hequr pengesat për eksportin e ushqimit dhe plehrave ruse nuk janë zbatuar ende. Qëllimi kryesor, dërgimi i grurit në vendet në nevojë, kryesisht në kontinentin afrikan, nuk u realizua”, thuhet në deklaratën e Kremlinit me rastin e telefonatës.

Të premten, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili ndërmjetësoi të ashtuquajturën marrëveshje të Detit të Zi, siguroi se Putin “pajtohet” për të zgjatur vlefshmërinë e saj. Megjithatë, Moska mohoi të ishte bërë ndonjë deklaratë për këtë çështje. Një ditë më parë, Putin kishte shprehur pakënaqësinë e tij sepse, siç pretendon ai, asnjë nga kërkesat ruse nuk është marrë parasysh në negociatat për zgjatjen e marrëveshjes.

Kjo marrëveshje, e cila u arrit në korrik 2022 dhe është rinovuar dy herë deri më tani, skadon në mesnatën e së hënës. Këtë vit, në bazë të këtij memorandumi, nga portet e Ukrainës u eksportuan rreth 33 milionë tonë drithë, pavarësisht luftës.

Presidenti i Afrikës së Jugut diskutoi gjithashtu me Putinin për përgatitjet për samitin e vendeve të BRICS që do të mbahet në fund të gushtit. Putini është ftuar, por Kremlini nuk ka njoftuar ende nëse ai planifikon të shkojë në Afrikën e Jugut.

Ramaphosa është në një pozitë të vështirë si mikpritëse e samitit sepse në mars u lëshua një urdhër nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për arrestimin e Putinit për krime lufte. Urdhri nënkupton se vendet anëtare të ICC-së, përfshirë Afrikën e Jugut, janë të detyruara ta arrestojnë atë sapo të shkelë në tokën e tyre.

Në deklaratën e lëshuar nga Pretoria për bisedën telefonike Putin-Ramaphosa, nuk flitet për samitin e BRICS.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!