“Nuk u ruajt sekreti hetimor”, zbardhet drafti i PS: Kërkesa e SPAK për Ahmetajn në përputhje me ligjin

schedule11:00 - 14 Korrik, 2023

schedule 11:00 - 14 Korrik, 2023

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste Arben Pëllumbi, nga Kuvendi, tha se kërkesa e SPAK në lidhje me heqjen e imunitetit të Arben Ahmetaj është në përputhje të plotë me ligjin.

Ai lexoi raportin e përgatitur nga Partia Socialiste, ndërsa tha se në seancën e mbyllur nuk është ruajtur sekreti hetimor dhe për këtë bëri përgjegjëse opozitën.

“Pjesë të akteve u shfaqen në media, madje edhe pa nisur shqyrtimi edhe në këshill. Është detyrë e kujtdo që bie në dijeni të sekretit hetimor që ta ruaj atë. Gjykojmë se procedura me dyer të mbyllura do të garantonte sekret hetimor, por në fakt kjo nuk u ruajt. Deputetët e opozitës shtrembëruan informacionet nga dosja hetimore”, tha ai.

Ai theksoi se organi i akuzës ka detyrimin të respektojë të drejtat e njeriut, pasi çdo akt  tjetër do të cenonte besimin e institucionit.

“Organi i akuzës ka detyrimin të respektojë e zbatojë garancitë procedurale dhe të drejtat e njeriut në proceset hetimore, pasi çdo cenim i këtyre garancive, jo vetëm që mund të konstatohet si shkelje nga gjykata, por rrezikon të dëmtojë dhe vetë rezultatet e punës së organit të akuzës në shërbim të interesit publik, duke ndikuar dhe në kredibilitetin e vetë institucionit dhe uljen e besimit të publikut te drejtësia”, tha mes tjerash Pëllumbi.

Deputeti theksoi se Partia Socialiste nuk do të bëhet pengesë për heqjen e imunitetit të Arben Ahmetaj/ n.m.abcnews.al