Një propozim që ngjalli stuhi reagimesh vjen nga Thierry Breton, i cili iu përgjigj idesë së presidentit francez Emmanuel Macron. Platformat e mediave sociale si TikTok dhe Snapchat do të ndalohen në rast se nuk ndalojnë përmbajtjet problematike gjatë trazirave, tha komisioneri Thierry Breton.
Kjo është parashikuar në legjislacionin e Bashkimit Europian. Breton, në një intervistë në radion franceze, iu përgjigj komenteve të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili mbylli disa media sociale për të shuar trazirat.
Shumë kritikë theksuan se masa të ngjashme u vunë re në shtetet autoritare si Kina dhe Irani.
“Kur ka përmbajtje urrejtjeje, përmbajtje që bën thirrje për trazira, që gjithashtu bën thirrje për vrasje dhe djegie makinash, ajo duhet të fshihet menjëherë,” tha Breton.
“Nëse nuk e bëjnë, do të sanksionohen menjëherë. Kemi ekipe që mund të ndërhyjnë menjëherë. Nëse ata nuk veprojnë menjëherë, atëherë ne do të jemi në gjendje jo vetëm t’i gjobisim, por t’i ndalojmë ata të veprojnë në territorin tonë,” tha ai.
Nëntëmbëdhjetë platforma kryesore në internet, duke përfshirë TikTok, Snapchat, Instagram dhe Twitter do të duhet të respektojnë detyrimet e reja ligjore për të frenuar përhapjen e përmbajtjeve të paligjshme dhe të dëmshme nga muaji i ardhshëm.
Platformat me më shumë se 45 milionë përdorues në BE do të duhet gjithashtu t’i paraqesin Komisionit një vlerësim të detajuar të rreziqeve të tyre të rëndësishme për përdoruesit.
Breton tha gjithashtu se Komisioni do të kryejë një test në TikTok javën e ardhshme për të kontrolluar se sa i gatshëm është për të respektuar rregullat e reja. Twitter ka bërë tashmë një test dhe Meta ka pranuar të testohet këtë muaj.
/abcnews.al