Mësuesit në Tunizi kërkojnë rritje, qeveria “përgjigjet” me pushime nga puna dhe pezullim pagash

schedule17:04 - 10 Korrik, 2023

schedule 17:04 - 10 Korrik, 2023

Qeveria tuniziane ka pezulluar pagesën e pagave për 17 mijë mësues dhe ka shkarkuar 350 drejtorë shkollash për shkak të protestave të mësuesve që kërkojnë paga më të larta. Tashmë qindra drejtorë shkollash kanë nisur të dorëzojnë dorëheqjet e tyre, raportojnë mediat e huaja.

Ngrirja e pagave mund të prekë rreth 30% të mësuesve të shkollave fillore të vendit dhe të përshkallëzojë konfliktin me sindikatat e fuqishme në një kohë kur qytetarët e vendit të Afrikës Veriore po përballen me një krizë të madhe ekonomike. Në kuadër të mobilizimit të tyre, mësuesit në vend refuzuan t’u dorëzonin notat nxënësve të shkollave.

“Fakti që nxënësit nuk morën nota për performancën e tyre në shkollë është një fatkeqësi dhe një krim ndaj fëmijëve,” tha ministri i Arsimit Mohamed Ali Bugdiri. Ministria e Arsimit pohon se financat publike të vendit nuk lejojnë miratimin e kërkesave të mësuesve.

Dhjetëra mijëra familje kanë frikë se konflikti ministri-sindikatë do të thellojë krizën e vazhdueshme të Tunizisë dhe do të paralajmërojë për një sezon të ri shkollor të trazuar pasi qytetarët tashmë përballen me inflacion të lartë, shërbime të dobëta publike dhe mungesë të shumë produkteve ushqimore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!