Poetja dhe pedagogia e Letërsisë Greke, Maklena Nika ka botuar përmbledhjen e dytë poetike me titull “Nitroglicerina”. Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ajo ka treguar se çfarë përmban ky libër, i cili në qendër ka një terminologji mjekësore.
Ndër të tjera, Nika ka theksuar se ka dashur që me anë të tij të transmetojë çdo përjetim që ne kemi në jetën tonë të përditshme, emocionale, apo kudo qoftë.
“Faktikisht në këtë vëllim poetik që është botuar në muajin prill nga shtëpia botuese Toena, tregohet se çfarë ndodh brenda organizmit të njeriut sidomos pas kalimit të periudhës së Covidit dhe janë disa fakte interesante që lidhen me funksionimin e mirëqënies sonë mendore, psikologjike, fizike dhe këto fakte lidhen me funksionimin e elementeve tanë që kemi brenda trupit, prandaj pak a shumë ‘Nitroglicerina’ është shkruar në këtë kuadër me një element të fortë poetik, sepse nuk mund të ketë poezi pa një element të fortë poetik, por i ndërthurur me atë se si e përjeton njeriu apo poeti. Prandaj, duket se ka një impakt fizik brenda si poezi.
Ajo që unë kam dashur të transmetoj është që çdo përjetim që ne kemi në jetën tonë të përditshme, emocionale, apo kudo qoftë, dashur pa dashur projektohet brenda reagimeve të trupit tonë. Kjo pak a shumë, është një lloj informacioni, por jo në aspektin sikur të gugëllojmë diçka, por është diçka e lidhur me përjetimet emocionale brenda njeriut”, u shpreh ajo.