Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen do të udhëtojë në Kinë këtë javë, njoftoi të dielën Departamenti i Thesarit. Në fokus të diskutimeve do të jenë menaxhimi i marrëdhënieve mes dy vendeve si dy ekonomitë më të mëdha në botë dhe puna për të adresuar sfidat globale.
Yellen, e cila do të jetë në Pekin nga 6-9 korriku, do të takohet me përfaqësues të rangut të lartë të qeverisë kineze, por jo me presidentin e Kinës Xi Jinping. Udhëtimi vjen si pjesë e një shtytjeje të Presidentit Joe Biden për të thelluar komunikimet midis dy ekonomive më të mëdha në botë.
“Ne kërkojmë një marrëdhënie të shëndetshme ekonomike me Kinën, një marrëdhënie që nxit rritjen dhe inovacionin në të dy vendet,” tha një zyrtar i lartë i Thesarit. “Ne nuk kërkojmë të shkëputim ekonomitë tona. Një ndërprerje e plotë e tregtisë dhe investimeve do të ishte destabilizuese si për vendet tona ashtu edhe për ekonominë globale.”
Udhëtimi i Yellen në Kinë vjen vetëm disa javë pasi Sekretari i Shtetit Antony Blinken vizitoi Kinën dhe u takua me Xi dhe ministrin e Jashtëm Qin Gang në Pekin në qershor. Blinken ishte zyrtari më i lartë amerikan që vizitoi Pekinin në 5 vitet e fundit dhe vizita u pa si simbol i uljes së tensioneve midis dy vendeve.
Marrëdhëniet midis dy vendeve u prishën këtë vit kur SHBA-ja rrëzoi një balonë kineze për të cilën tha se përdorej për vëzhgim, një pretendim që Kina e mohoi fuqimisht./abcnews.al