Barcelona “merr frymë”, UEFA nuk e sanksionon me mospjesmarrje në Champions League

schedule15:25 - 1 Korrik, 2023

schedule 15:25 - 1 Korrik, 2023

Barcelona thuhet se është informuar këtë të premte se do të lejohet të garojë në edicionin e ardhshëm të Champions League në sezonin 2023/24.

Disa raportime në mediat katalanase pohojnë se Joan Laporta dhe bordi i tij e kanë marrë këtë lajm nga UEFA të premten, me organin drejtues të futbollit evropian që ka përfunduar analizën e të gjitha informacioneve në lidhje me ‘Çështjen Negreira’.

Me një vendim të tillë, kjo do të thotë se klubi katalanas nuk do të sanksionohet me përjashtim nga edicioni i ardhshëm i turneut kontinental, me shortin e fazës së grupeve që do të zhvillohet më 31 gusht në Monaco.

Që në fillim, drejtuesit e klubit ishin të bindur se nuk do të kishte dënim dhe Laporta ka shpjeguar në disa raste se ka folur me Aleksander Ceferin për ‘Çështjen Negreira’ dhe se besonte se nuk do të kishte asnjë ndalim.

Tani, këtë të premte, kjo u është konfirmuar drejtorëve në institucionin katalanas.

Duke qenë se nuk kishte statut kufizimesh në nivel kontinental për këtë rast, UEFA mund ta ndalonte Barcelonën nëse do të gjenin arsye për ta bërë këtë, por ata kanë vendosur që nuk ka asnjë bazë për këtë. Ky lajm vjen si një lehtësim i madh për Barcelonën edhe nëse ky vendim ishte i pritshëm.

Përtej dëmit sportiv që do t’i bënte Barcelonës mospjesëmarrja në këtë kompeticion, ishte faktori ekonomik në një kohë kur arkat e Blaugranëve janë nën presion të madh./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!