SHBA demonstron fuqinë ushtarake pas tubimeve anti-amerikane në Korenë e Veriut

schedule09:31 - 1 Korrik, 2023

schedule 09:31 - 1 Korrik, 2023

Shtetet e Bashkuara ngritën në ajër bombarduesit me aftësi bërthamore në Gadishullin Korean të premten në një demonstrim të forcës kundër Koresë së Veriut, disa ditë pasi Pheniani organizoi tubime masive anti-amerikane.

Bombarduesit me rreze të gjatë veprime, B-52 morën pjesë në stërvitje të përbashkëta ajrore me avionë të tjerë luftarakë të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut mbi gadishull, tha në një deklaratë Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut. Fluturimi i bombarduesve është pjesë e dislokimit të përkoshëm të një numri pajisjesh ushtarake strategjike nga Shtetet e Bashkuar në Korenë e Jugut në përgjigje të përpjekjeve të Koresë së Veriut për të zgjeruar arsenalin e saj bërthamor.

Dy javë më parë, Shtetet e Bashkuara dërguan një nëndetëse me energji bërthamore të aftë për të transportuar rreth 150 raketa Tomahawk në ujërat e Koresë së Jugut për herë të parë në gjashtë vjet. “USS Michigan” u shfaq në ujërat e Koresë së Jugut një ditë pasi Koreja e Veriut rifilloi provat me raketa në një shenjë proteste ndaj stërvitjeve të mëparshme ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Jugore, të cilat Pheniani i konsideron si një provë pushtimi.

Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut tha se dislokimi i bombarduesve B-52 rriti praninë e pajisjeve ushtarake strategjike të Shteteve të Bashkuara në gadishull. Ai tha se aleatët kanë demonstruar vendosmërinë e tyre për të forcuar pozicionet e kombinuara të mbrojtjes dhe do të vazhdojnë stërvitjet e përbashkëta që përfshijnë bombarduesit strategjikë amerikanë.

Të dielën, më shumë se 120 mijë koreano-veriorë morën pjesë në tubime masive në Phenian për të shënuar 73-vjetorin e fillimit të Luftës Koreane. Gjatë tubimeve, zyrtarët dhe banorët mbajtën fjalime duke u zotuar për “hakmarrje të pamëshirshme” kundër Shteteve të Bashkuara për luftën, ndërsa akuzuan Uashingtonin për komplot për të pushtuar Korenë e Veriut.

Lufta Koreane përfundoi me një armëpushim, jo me një traktat paqeje, duke e lënë gadishullin teknikisht në gjendje lufte. Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar rreth 28 mijë trupa në Korenë e Jugut për të frenuar një agresion të mundshëm nga Koreja e Veriut.

Që nga 15 qershori, kur lëshoi dy raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi, Koreja e Veriut nuk ka kryer asnjë provë tjetër me armë. Por dislokimi i bombarduesve amerikanë mund ta nxisë atë të bëjë prova të tjera me raketa.

Rritja e “pranisë së pajisjeve ushtarake strategjike të Shteteve të Bashkuara” në Gadishullin Korean ishte pjesë e marrëveshjeve të arritura midis Presidentit amerikan Joe Biden dhe Presidentit të Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol gjatë takimit të tyre në Uashington në prill. Presidenti Biden deklaroi në atë kohë se një sulm bërthamor i Koresë së Veriut ndaj Shteteve të Bashkuara ose aleatëve të saj do të “rezultonte në shkatërrimin e regjimit” në Phenian.

Që nga fillimi i vitit 2022, Koreja e Veriut ka kryer më shumë se 100 prova me raketa në një përpjekje për të zgjeruar arsenalin e saj të raketave me aftësi bërthamore që kanë në shënjestër territorin e Shteteve të Bashkuara dhe Korenë e Jugut. Aleatët janë përgjigjur duke zgjeruar stërvitjet e tyre ushtarake.

Në fund të majit, Koreja e Veriut lëshoi një raketë që mbante satelitin e saj të parë spiun, por rakate u rrëzua në det menjëherë pas ngritjes. Koreja e Veriut që atëherë ka thënë vazhdimisht se do të bëjë një përpjekje tjetër për dërgimin në hapësirë të një sateliti spiun, duke thënë se është thelbësore të ndërtohet një sistem vëzhgimi hapësinor për t’u përballur me ato që Pheniani i quan veprime armiqësore të Shteteve të Bashkuara. /voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!