Nuk ka pushime të gjata për maturantët që duan të nisin studimet e larta për mjekësi të përgjithshme këtë vit.
Konkursi i informatizuar për tu pranuar në universitet është planifikuar të zhvillohet në dhjetë ditëshin e dytë të gushtit.
Kandidatët për studentë nga i gjithë vendi duhet të vijnë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore në Tiranë ku do të zhvillohet testimi sipas një kalendari që do të publikohet më herët.
“Qendra e Shërbimeve Arsimore ka planifikuar që ky testim të zhvillohet në periudhën 10 deri më 20 gusht që të jetë në koherencë dhe brenda fundit të gushtit të shpallen fituesit në programin e mjekësisë. Në momenin që do të kemi listën e aplikanteve do të publikojmë kalendarin e sesioneve dhe oraret e testimit”
Teza do të përmbajë pyetje nga lëndët e fizikës, kimisë dhe biologjisë zhvilluar gjatë viteve të gjimnazit dhe do të vlerësohet me 100 pikë.
Rezultatet e maturantëve Qendra e Shërbimeve Arsimore do t’ja dërgojë Universitetit të Mjekëisë i cili do të bëjë renditjen e fituesve duke u bazuar dhe në notat e provimeve të maturës.
“Është një total një fond prej 3 mijë pyetjesh ku kemi një numër të barabartë për fizikën, kiminë dhe biologjinë. Ky testim i informatizuar do të bazohet vetëm në fondin e pyetjeve të bërë publik. Provimi do të jetë i njejtë me atë të profesioneve të tjera të rregullura. Do të vlerësohet në total me 100 pikë. Tabelën e rezultateve në do t’ja dërgojmë Universitetit të Mjekësisë për të bërë rankimin. Do të zërë një peshë prej 30% në rankimin e të gjithë maturantëve që do të aplikojnë për mjekësi.”
Testi i informatizuar për tu pranuar në Universitetin e Mjekësisë zhvillohet për herë të parë këtë vit. Vitin e shkuar për këtë degë studimi aplikuan rreth tre mijë maturantë.