Ish-shefja e Drejtorisë së Anti-Korrupsionit në Rumani, Laura Kovesi ka shanse të bëhet kryeprokurore e BE-së. Kovesi ka marrë mbështetjen në parim të vendeve anëtare të Unionit, ndërsa votimi pritet të bëhet në javët e ardhshme.
Ish-shefja e Prokurorisë së Anti-Korrupsionit në Rumani, Laura Kovesi ka gjasa të jetë kryeprokurorja e re e Bashkimit Europian, pavarësisht kundërshtimeve që vijnë nga vetë qeveria rumune.
Të enjten, përfaqësuesit e vendeve anëtare të Unionit dhanë mbështetjen që ajo të marrë drejtimin e Zyrës së Prokurorisë Publike Europiane. Tani mbetet vetëm që emërimi i saj të konfirmohet me votë nga Këshilli Europian, që pritet të mblidhet posaçërisht në javët e ardhshme.
Kovesi, aktualisht 46 vjeç, u kthye në “dhimbje koke” për klasën politike rumune teksa ishte në krye të Drejtorisë Anti-Korrupsion të vendit. Ajo u vendos në këtë detyrë në 2013-n dhe në vitet që pasuan në Rumani pati një rritje të ndjeshme të dënimeve për korrupsion.
Ndërkohë, në Korrik të vitit të kaluar, ajo u shkarkua nga detyra me nismë të qeverisë rumune. Duke folur për mediat ditën e enjte, Kovesi deklaroi se mbështetja e marrë nga vendet anëtare ishte një hap i rëndësishëm, por shtoi se duhet pritur për vendimin përfundimtar.
Një basketbolliste e talentuar në rini, gjatë drejtimit 5-vjeçar të Drejtorisë Anti-Korrupsion zonja Kovesi çoi në gjyq 68 funksionarë shtetërorë, përfshirë 14 ministra dhe ish-ministra, si dhe 53 deputetë nga të dyja dhomat e parlamentit rumun.
Nga këta, 37 politikanë janë dënuar, ndërsa ndaj të tjerëve proceset gjyqësore vazhdojnë./ABC News Albania 24/7