Pasi bleu klubin e Chelsea në fillim të sezonit që sapo lamë pas, Presidenti i “bluve”, Todd Boehly ose më saktë, një grup investitorësh amerikanë, nën emblemën e kompanisë “BlueCo” kanë blerë dhe klubin e Strasbourg, klub i cili militon në Kampionatin francez të futbollit, Ligue 1.
Si President i klubit, “manjati” amerikan ka gjetur ditën e sotme dhe një trajner të ri, për francezët, me mesfushorin “legjendar”, Patrick Vieira që do të marrë së shpejti në dorë “frerët” e skuadrës.
Vieira, tashmë 47-vjeçar vjen në krye të Strasbourg, pas “aventurës” së tij në pankinën e Crystal Palace, “aventurë” që nuk shkoi dhe aq mirë për ish-mesfushorin e Inter dhe Arsenal, me bordin e klubit anglez, që vendosën largimin e francezit nga pankina e Palace.
Ndërkaq, në “aventurën” e tij të re, Vieira do të zërë vendin e teknikut francez, Frederic Antonetti në krye të stolit të francezëve, teksa kjo detyrë e re konsiderohet si rikthimi i 47-vjeçarit në Francë, pas drejtimit të skuadrës së Nice. /i.m /abcnews.al