Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar konferencën për shtyp pas darkës zyrtare të organizuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministri holandez, Mark Rutte në Holandë, për folur për situatën në veri të Kosovës. Kryeministri tha se dialogu duhet të vazhdojë ndërsa shtoi se “ne nuk duam të shohim një thyerje të Ballkanit Perëndimor”.
“Është frymëzuese që jemi pjesë e NATO në këto kohë dhe vullneti për të qenë me Ukrainën deri në fund në këto kohë është i palëkundur. Dhe kushdo që do të vërë bast për të kundërtën ka humbur. Nuk mund të konfirmoj mbi atë që u tha për Ukrainën dhe dua të përdor kohën time për të shtuar që ne mund të diskutojmë edhe për situatën shqetësuese në Ballkanin Perëndimor në Kosovën veriore, ku disa ditë më parë ushtarët e KFOR u lënduan dhe shpresojmë që logjika të mbizotërojë dhe ulja e përshkallëzimit të fillojë sa më shpejt të jetë i mundur sepse çdo përshkallëzim mund të sjellë fund katastrofik dhe ne nuk duam të shohim një thyerje në rajonin tonë që ka bërë shumë punë të mira deri tani dhe duam të shikojmë që dialogu i BE-së të arrijë sukses dhe ne do të kemi mbështetjen e plotë të NATO-s që është përgjegjës për praninë e KFOR, si një prani kryesore për sigurinë.”, tha Rama./abcnews.al