Ishte 10 marsi i 2020-ës kur vuri këmbë aty si futbollist.
Gjithsesi, lidhja shpirtërore e Armando Brojës me stadiumin “Stamford Bridge” të Chelsea kishte nisur shumë kohë më parë.
Me gjasë, kur shkeli në korridoret e impiantit të Bluve të Londrës atë pasdite të së shtunës e kur bëri debutimin në ekipin e parë ndaj Evertonit, sulmuesi shqiptar ka kujtuar ditën e parë si fëmijë në atë stadium.
Këtë përvojë të paharrueshme, ylli 21-vjeçar kuqezi e tregon për faqen zyrtare të Chelsea, në një intervistë emocionuese.
Si shumica e shqiptarëve, Broja ka qenë gjithmonë i lidhur me familjen, e madje jo vetëm me nënën apo babanë.
“Nuk e mbaj mend saktësisht se çfarë ndeshjeje ishte, por ishte ndeshje në “Stamford Bridge”. Unë isha 5 apo 6 vjeç dhe mbaj mend që në stadium më mori xhaxhai im. Ai më bëri me Chelsea sepse ishte edhe vetë një tifoz i zjarrtë i Bluve. Unë kisha një shall dhe një kapele të Chelsea. Ishte një nga eksperiencat më të bukura të jetës sime në atë kohë. Më shumë shkoja në stadium me xhaxhain, ndonjëherë me babain. Ajo kohë ndikoi shumë tek unë”.
Pikërisht atë ditë, kur pa nga brenda “Stamford Bridge”, Armandos i lindi dëshira të cilën sot e ka bërë realitet.
“Kur hyra në stadium për herë të parë, ishte diçka që më goditi. Aty ishin me mijëra njerëz. Ishte një çmenduri dhe unë thashë me vete se një ditë doja edhe unë të luaja në atë fushë. Kështu nisi gjithçka. Xhaxhai im më kishte veshur me uniformën e Chelsea që kur unë isha 2 vjeç. Mamaja ime i thoshte që ta linte me kaq, por ai këmbënguli që unë të bëhesha një tifoz i Chelsea. Pra, unë u bëra tifozi Chelsea prej tij”.
Armando Broja vazhdon të jetë pjesë e Bluve të Londrës, dhe këto ditë pritet të bashkohet me ekipin e drejtuar nga trajneri Pochettino për të nisur fazën përgatitore.
Pas një sezoni të vështirë me Chelsea, ku arriti të shënonte vetëm një gol, dhe në të cilin u dëmtua rëndë në dhjetor, ai shpreson të fitojë të drejtën që ta mbajë edhe më tej të veshur fanelën e tij të preferuar./ h.ll/abcnews.al