Rusia: Kina na mbështet në ruajtjen e stabilitetit

schedule17:18 - 25 Qershor, 2023

schedule 17:18 - 25 Qershor, 2023

Rusia ka thënë të dielën se Kina ka dërguar mesazh mbështetjeje për udhëheqësinë e Rusisë, në përpjekjet për ta stabilizuar situatën e brendshme.

Këto komente kanë ardhur pas ndërprerjes së rebelimit të grupit mercenar rus Wagner brenda Rusisë.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Andrei Rudenko, ka mbajtur takime të dielën në Pekin për “çështje ndërkombëtare”, pas sfidës më serioze me të cilën është përballur presidenti rus, Vladimir Putin, prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

“Pala kineze ka shprehur mbështetje për përpjekjet e udhëheqësisë së Federatës Ruse për ta stabilizuar situatën në shtet, lidhur me ngjarjet e 24 qershorit, dhe konfirmon interesat e saj në forcimin e kohezionit dhe prosperitetit të Rusisë”, ka thënë Ministria e Jashtme ruse.

Ministria e Jashtme e Kinës ka thënë thjesht se Rudenko ka biseduar me ministrin e Jashtëm kinez Qin Gang për marrëdhëniet kinezo-ruse si dhe për “çështje rajonale dhe ndërkombëtare”.

Është e paqartë se kur ka arritur Rudenko në Pekin, aleatin kyç të Moskës, dhe nëse vizita e tij ka qenë përgjigje ndaj rebelimit të grupit Wagner.

Rebelimi është ndërprerë të shtunën, pas arritjes së një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bjellorusia që parasheh shkuarjen e shefit të Wagnerit, Yevgeny Prigozhin në Bjellorusi dhe kthimin e luftëtarëve nëpër baza./REL