Ministria e Mbrojtjes e Britanisë këtë të shtunë ka reaguar në lidhje me tensionet e rritura brenda shtetit rus.
Në reagimin e saj thuhet se shteti rus po përballet me sfidën e tij më të madhe të sigurisë në kohët e fundit pasi, shtoi ajo, forcat e grupit mercenar rus Wagner duket se po lëvizin drejt Moskës.
“Në orët në vijim, besnikëria e forcave të sigurisë ruse, dhe veçanërisht Gardës Kombëtare Ruse, do të luajë një rol qendror në mënyrën se si do të shpaloset kjo krizë. Kjo përfaqëson sfidën më të rëndësishme për shtetin rus në kohët e fundit”, thekson inteligjenca ushtarake britanike në përditësimin e saj të rregullt.
Ndër të tjera inteligjenca britanike thekson se duket se disa njësi të forcave të armatosura ruse kanë mbetur të palëvizshme, duke dhënë miratim të heshtur për lëvizjet e Wagner.
Ndërkohë nga ana tjetër kreu i Wagner flet për përplasjet ushtarake në Rostov, duke vënë në dukje rrezikun e trazirave të mëtejshme në të gjithë Rusinë./abcnews.al