Urgjenca e re e spitalit francez në QSUT, Manastirliu-Balluku: Shërbim me standarde

schedule12:32 - 18 Shtator, 2019

schedule 12:32 - 18 Shtator, 2019

Falë një investimi prej 5 milionë lekë, rreth 25 mijë pacientë do të marrin shërbim me standarde bashkëkohore në Urgjencën e re në Spitalin Francez në QSUT. Gjatë inspektimit nga afër ministrja Ogerta Manastirliu dhe ministrja Belinda Balluku theksuan se investime të tilla do të vijojnë edhe në spitale të tjera të vendit.

Investimi në Urgjencën e re të Spitalit Francez në QSUT do t’u ofrojë shërbime me standarde bashkëkohore për 25 mijë pacientë.

Këtë e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku teksa panë nga afër investimin e ri.

Manastirliu: “Fokusi ynë është tek përmirësimi i shërbimit të urgjencës, jo vetëm në QSUT por në të gjitha spitalet tona. Punët bëhen më mirë dhe më shpejt kur bëhemi bashkë, ndaj jam shumë e kënaqur që shohim sot një urgjencë me kushte bashkëkohore, falë përgjegjësisë sociale dhe solidaritetit, që sikundër AlbControl, duhet të kenë të gjithë institucionet publike dhe jopublike”.

Balluku: “Kjo është hera e tretë që unë vij në QSUT për të inspektuar projektet  e përgjegjësisë sociale që Albcontrol ka zhvilluar këtu. Të gjitha kompanitë, qofshin këto shtetërore dhe ato private, të cilat kanë buxhete të konsiderueshme dhe fusha e tyre e biznesit është e gjerë në Shqipëri,  do t’i bëja thirrje, që të kontribuojnë në mënyrën e tyre edhe në një mënyrë modeste. Unë i kam kërkuar të gjitha ndërmarrjeve të tjera të varësisë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe agjensive,  që të kontribuojnë në të njëjtën mënyrë duke ndjekur një shembull të mirë, një shembull komunitar dhe kështu  të investojnë sërish në shëndetësi”.

Shërbimi i urgjencës në spitalin Francez një investim prej 5 milionë lekësh është një shërbim që mbulon tre specialitete: ORL, Okulistikë dhe Oro-Maxillo-Facial.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale investimet për modernizimin e QSUT do të vijojnë me projektet madhore, siç është përfundimi i spitalit të ri kirurgjikal, ndërtimi i  spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme dhe fillimi i punimeve për zgjerimin e Pediatrisë. /ABC News Albania 24/7