“Futbolli për Shkollat” nis trajnimin e 116 mësuesve të edukimit fizik, synohet mbështetja e fëmijëve dhe identifikimi i talenteve të reja

schedule13:53 - 22 Qershor, 2023

schedule 13:53 - 22 Qershor, 2023

Ka nisur prej të mërkurës trajnimi i 116 mësuesve të edukimit fizik nga e gjithë Shqipëria, në kuadër të programit ‘Futbolli për Shkollat’, një projekt bashkëpunimi mes FSHF dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, i mbështetur nga FIFA. 116 mësuesit e kësaj lënde po trajnohen nga tre instruktorë të FIFA-s që prej ditës së djeshme, ndërsa trajnimi vazhdon edhe sot e nesër. Qëllimi kryesor i këtij programi është identifikimi dhe mbështetja e fëmijëve nga mosha 8-14 vjeç dhe familjeve të tyre si edhe njëkohësisht identifikimi i talenteve të reja.

 

Programi ‘Futbolli për shkollat’ pritet të nisë rrugëtimin në sezonin e ri shkollor në 116 shkolla 9-vjeçare në gjithë Shqipërinë. Antonio Buenaño Sánchez, menaxheri i projektit “Futbolli për Shkollat”, në një intervistë për fshf.org shpjegoi se objektivi kryesor i këtij programi është që të gjithë fëmijët e grupmoshës së targetuar të luajnë futboll. Ndër të tjera, përfaqësuesi i FIFA-s nënvizoi se pas trajnimit me 116 mësuesit, këta të fundit duhet ta ndajnë dijen e tyre edhe me fëmijët e kolegët e tyre.

 

“Futbolli për Shkollat” është një program që ka filluar në 2019 me objektivin që ka Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, për t’i sjellë futbollin çdo fëmije në të gjithë botën, për t’i dhënë mundësinë atyre për të luajtur futboll. Ky është objektivi kryesor. Ne nuk kërkojmë garë apo futboll të nivelit të lartë, por qëllimi parësor është t’i japim mundësinë çdo fëmije të luajë futboll. Objektivi është t’u mësojmë fëmijëve futbollin, për të pasur një kontakt të parë me futbollin dhe në të njëjtën kohë të bëhen të aftë, disa vlera që ne po i humbim në shoqëri. Kështu që të përpiqemi të përfitojmë nga bukuria e futbollit, për të mësuar dhe për t’ia kaluar këto mesazhe fëmijëve” – tha menaxheri i këtij programi, ndërsa nënvizoi se qëllimi është që sa më shumë fëmijë të luajnë futboll.

 

“Qëllimi është që të përpiqemi të arrijmë sa më shumë fëmijë të jetë e mundur brenda vendit. Për këtë arsye, së bashku me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, po trajnojmë 116 mësues të edukimit fizik për tre ditë. Qëllimi është që ata të shkojnë te komunitetet e tyre, në provincat dhe fshatrat e tyre dhe të trajnojnë edhe mësuesit e tjerë. Po bëjmë një trajnim ‘kaskadë’. Dhe pastaj, shumë e më shumë fëmijë do të përfitojnë dhe do të preken nga ky program”.

 

Mësuesit e edukimit fizik? – “Po bëjnë një punë të mire. Trajnimi zgjat tre ditë. Në ditën e tretë, të premten, rreth 200 fëmijë do të vijnë këtu dhe mësuesit do të vënë në fushë, në praktikë çfarë ata mësuan këto dy ditë. Jemi shumë të emocionuar, deri tani angazhimi dhe sjellja e tyre ka qenë e mrekullueshme. Kjo gjë na inkurajon për të pasur qëndrim dhe energji të mire” – përfundoi për fshf.org Antonio Buenaño Sánchez.

Gjithashtu, për këtë ngjarje ka reaguar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, duke falenderuar Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe ministren Evis Kushi.

Postimi i Dukës:

“Futbolli në Shkolla”, pjesë e strategjisë tonë “Futbolli për Kombin 2025”, nisi ditën e djeshme në “Shtëpinë e Futbollit” me trajnimin e 116 mësuesve të shkollave 9 vjeçare në të gjithë vendin.

Federata Shqiptare e Futbollit aplikoj këtë projekt pilot në FIFA dhe morëm përgjigje pozitive për të qënë ndër federatat e para në zbatimin e tij.

Një falenderim shkon për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, ministren Evis Kushi që pranoj pa hezitim këtë program që do të ndihmojë në zhvillimin pozitiv të aftësive fizike dhe një jete më të shëndetshme të fëmijëve dhe nxënësve, duke i dhënë më shumë besim e ti rrisë me kulturën e punës në grup.

Jam besimplotë se ky program do të masivizojë akoma më shumë futbollin në vendin tonë dhe ftoj të gjithë klubet e akademitë që nga shtatori të hedhin sytë nga shkollat tona për të gjetur yjet e të ardhmes.