Turizmi i aventurës/ Shqipëria, mbi 400 mijë vizitorë zgjedhin turizmin natyror

schedule14:04 - 21 Qershor, 2023

schedule 14:04 - 21 Qershor, 2023

Turizmi i aventurës po zhvillohet gjithnjë e më shumë në Shqipërinë me një potencial të madh turistik. Një lloj turizmi që përfshin një sërë aktivitetesh, i lidhur më shumë me natyrën dhe një alternativë e mirë përtej detit dhe kulinarisë.

Mori hov veçanërisht pas pandemisë me mbylljen e kufijve ku shumë njerëz në pamundësi për të lëvizur jashtë vendit, po fillonin ti drejtoheshin ofertave aktuale brenda vendit. Por, interes për turizmin e aventurës në Shqipëri ka edhe nga të huajt ku shumë gjermanë, zviceranë dhe britanikë e preferojnë atë më shumë se bregdetin.

Liqeni i Bovillës, Ujëvara e Sotirës, Hiking në Lëpushë e Vermosh, eksplorimi i kanioneve të Osumit janë vetëm disa nga destinacionet që po preferohen më së shumti e që janë kthyer tashmë trend sipas opertorëve.

Turizmi i aventurës shihet edhe si një mundësi e mirë e zhvillimit të zonave rurale. Rritja e numrit të atyre që preferojnë këtë lloj turizmi dhe e kërkesave të turistëve vendas apo të huaj kanë krijuar mundësi të reja për bizneset në këto zona dhe nxitjen e punësimit.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Turizmit vetëm në muajt e parë të vitit janë më shumë se 400 mijë vizitorë që kanë zgjedhur turizmin natyror në vend.